Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë solemne të mbajtur për shënimin e Ditës së Pavarësisë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se po mblidhen në një institucion që simbolizon dijen e të gjitha fushave dhe qëndrueshmërinë e identitetit tonë kombëtar, transmeton Arbresh.info.
“Rruga drejt 17 shkurtit 2008 ishte e gjatë dhe e mundimshme. Ajo u ndërtua me sakrificë, me qëndresë dhe besim të palëkundur në të drejtën tonë për të jetuar në liri”, tha Kurti.
Ai tutje shtoi se nga tetori i vitit 1990 deri në qershor të vitit 1999, kjo vatër e dijes u përball me masa të dhunshme, me spastrim të koleksioneve, me politika të njëanshme të pasurimit dhe me përjashtimin e librit shqip nga fondet e saj.

E megjithëkëto, fjala shqipe mbijetoi, tha kryeministri, dhe ajo gjeti strehë në raftet, në arkivat dhe në ndërgjegjen e atyre që besuan se liria fillon me ruajtjen e kujtesës dhe të së vërtetës.
“Gjatë viteve të fundit, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka ndërmarrë një transformim të rëndësishëm, duke ndërthurur trashëgiminë e saj të pasur me standardet e epokës digjitale. Me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përkushtimin profesional të stafit, procesi i digjitalizimit është shndërruar në bosht të modernizimit institucional. Me një kapacitet prej rreth 15 mijë faqesh në ditë, po bëhet ngritja e kapaciteteve dhe orientimi drejt praktikave bashkëkohore evropiane.” tha kryeministri.
Në fund të fjalës së tij, Kurti falënderoi të gjithë ata që kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës sonë kolektive, sepse një shtet që ruan kujtesën, ndërton me siguri të ardhmen e vet.
“Kjo është Kosova që po ndërtojmë: një shtet që e nderon historinë, që e ruan trashëgiminë dhe që investon në dije si garanci e së ardhmes”, tha kryeministri./Arbresh.info

Britania drejt ndalimit të mediave sociale për personat në 1...
Selektori i Gjermanisë merr ‘vendimin’ rreth ftesës për Ter ...
Barcelona bie nga ‘froni’ i La Ligas, mposhtet në udhëtim ng...
India, tregu i dytë më i madh i ChatGPT në botë – arri...
Cilat janë gabimet më të zakonshme kur pini kafe gjatë ditës...
I shpëtoi bllokadës së Trump në Karaibe, SHBA kap anijen cis...