Komisioni parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet (Shqipëri) i ka hapur rrugë ratifikimit të marrëveshjes së gjerë të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë. Në mbledhjen e drejtuar nga zëvendëskryetarja Evis Kushi, deputetët miratuan projektligjin që vulos një kornizë të re bashkëpunimi me vendin fqinj.
Marrëveshja, e nënshkruar mes Këshillit të Ministrave të dy vendeve, mbulon një spektër të gjerë sektorësh jetikë, duke përfshirë: kujdesin shëndetësor, energjinë, mjedisin, industrinë e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimin e migracionit, si dhe arsimin e inovacionin.
I pranishëm për të mbrojtur projektligjin, Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, e cilësoi Italinë si një nga partnerët më strategjikë në Bashkimin Evropian.
“Kjo marrëveshje krijon një kornizë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ajo nuk është thjesht një dokument bashkëpunimi, por një mundësi konkrete për transferimin e teknologjisë dhe dijes, si dhe krijimin e infrastrukturave të përbashkëta kërkimore,” theksoi Musabelliu.
Sipas tij, një fokus i veçantë i është kushtuar rritjes së lëvizshmërisë së studentëve dhe profesionistëve, si dhe integrimit të diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik të vendit. Edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit e vlerësuan projektligjin si një hap pozitiv për thithjen e eksperiencave më të mira italiane.
Deputetja Lindita Nikolla, në rolin e relatores, u ndal tek aspekti juridik i marrëveshjes. Ajo garantoi se pas shqyrtimit të ligjshmërisë, projektligji rezulton në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe nuk cënon kompetencat e institucioneve të pavarura apo rendin kushtetues.
Pas diskutimeve, Komisioni e miratoi marrëveshjen në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke i hapur rrugë votimit final në seancë plenare./rtsh
Parashikimi i motit për të enjten
SHBA-të do të ndërtojnë një reaktor bërthamor në Hënë
Nesër pritet të mbahet takimi mes Bislimit e Petkoviqit në B...
Arsenali dhe Chelsea në luftë për yllin e Real Madridit R...
Edi Rama i çon projektligj Kuvendit të Shqipërisë për Bordin...
Moti i lig në Greqi merr jetën e dy njerëzve