Rexhepi: Devijimet në rinumërimin e votave janë goditje ndaj demokracisë

13:48 | 19 Janar 2026
E.G

Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ka nxjerrë në pah ndryshime të konsiderueshme në numrin e votave të kandidatëve individualë. Devijimet më të mëdha janë vërejtur në komunën e Prizrenit, çka ka nxitur reagimin e Prokurorisë Themelore në këtë qytet.

“Kjo është një goditje ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka deklaruar Emilija Rexhepi nga Partia e Re Demokratike në programin e mëngjesit të RTK2.

Kryetarja e Partisë së Re Demokratike, Emilija Rexhepi, vlerëson se devijimet e mëdha të konstatuara gjatë rinumërimit të votave, veçanërisht në komunën e Prizrenit, janë rezultat i një veprimi të qëllimshëm, duke e cilësuar këtë si goditje ndaj demokracisë.

Ajo theksoi se është thelbësore të zbulohet se kush qëndron pas këtij veprimi dhe nën çfarë direktive është realizuar, si dhe nëse bëhet fjalë për blerje votash.

“Kjo është një goditje ndaj demokracisë, një goditje ndaj sundimit të ligjit. Është pozitive që ka reaguar prokurori Petrit Krueziju, pasi duhet të krijohet një precedent që këto manipulime të ndalen në të ardhmen. Të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre; është thjesht e pamundur që disa kandidatë të kenë një numër kaq të madh votash”, u shpreh Rexhepi.

Ajo sqaroi se situata e krijuar rreth rinumërimit të votave nuk ndikon në rezultatin e përgjithshëm të partive, por devijimet lidhen me votat e kandidatëve të veçantë për deputetë. Për këtë arsye, sipas saj, është shumë e rëndësishme që i gjithë procesi të hetohet.

Rexhepi shtoi se kjo situatë vetëm sa e vonon shpalljen e rezultateve përfundimtare, gjë që ndikon drejtpërdrejt në konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.

“Vetëvendosje ka 57 vota, unë jam vota e 58-të, Elbert Krasniqi le të jetë e 59-ta, Nenad Rashiq e 60-ta, deputeti i komunitetit ashkali e 61-ta, dhe kemi edhe vota nga partitë e tjera minoritare. Megjithatë, nevojiten 61 vota, ndërsa me siguri do të ketë më shumë se 67 apo 68. E njoh matematikën parlamentare, por ky stagnim rreth rezultateve zyrtare nga ana e KQZ-së tregon se duhet të presim. Afati i ankesave zgjat rreth shtatë ditë dhe presim që deri në mes të shkurtit të votohet Kuvendi”, deklaroi Rexhepi.

Sipas Emilija Rexhepit, bashkëpunimi me partitë opozitare shqiptare është i domosdoshëm për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, si dhe për negociatat rreth zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, për të cilat nevojiten 80 vota në Kuvend.

Në fund, Rexhepi theksoi se pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, do të fillojë puna në plane dhe projekte nga të cilat, sipas saj, përfitime do të kenë si komuniteti boshnjak, ashtu edhe të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale