Hoti: Nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon, do të jap dorëheqje

20:09 | 15 Janar 2026
E.G

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas zhvillimeve të fundit brenda kësaj partie.

Hoti bëri thirrje për unitet dhe reflektim të përbashkët për rrugën përpara.

“Secili prej nesh që mban përgjegjësi politike ka detyrimin të mos qëndrojë anash proceseve vendimtare për të ardhmen e LDK-së. Vetëm me qetësi, pjekuri politike dhe gjithëpërfshirje mund ta rikthejmë besimin e qytetarëve dhe ta kthejmë LDK-në në shërbim të Kosovës”, tha Hoti.

Ai foli edhe rreth dorëheqjes së mundshme të Lumir Abdixhikut, nga pozita e kryetarit të LDK-së.

“Statuti i LDK-së është i qartë. Në rast dorëheqjeje të Kryetarit të LDK-së, Kuvendi i LDK-së thirret për t’u njoftuar zyrtarisht për këtë dorëheqje. Pas këtij akti të njoftimit, Kuvendi e zgjedh Kryetarin e ri të LDK-së. Kaq. Kështu ka ndodhur në vitin 2021. Çdo devijim nga kjo procedurë statutare është tendencë për ta shtyrë, relativizuar ose deformuar përgjegjësinë politike të lidershipit të LDK-së”, theksoi ai.

“Standardi i dorëheqjes pas rezultatit të dobët zgjedhor është vendosur në vitin 2021. Ky standard është përqafuar dhe promovuar me këmbëngulje nga vetë z. Abdixhiku. Prandaj, çdo përpjekje për ta shmangur sot këtë standard është në kundërshtim të hapur me parimet që vetë lidershipi aktual i ka shpallur si vlera udhëheqëse”, shtoi Hoti.

Madje sipas tij, pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, askush nuk mund ta mohojë se LDK-së i nevojitet lidership i ri dhe, më pas, riorganizim në të gjitha nivelet përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Besimi i qytetarëve në LDK është dëmtuar dhe ai nuk mund të rikthehet pa një akt të qartë përgjegjësie dhe pa një proces të sinqertë reformimi. LDK-ja ka potencial të jashtëzakonshëm politik, njerëzor dhe programor. Ky potencial duhet të vihet në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve përmes një reformimi të thellë, gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar”, deklaroi Hoti.

Tutje, Avdullah Hoti theksoi se në takimin konsultativ të para dy ditësh, ka paralajmëruar qartë se nëse lidershipi i LDK-së nuk merr përgjegjësinë që i takon dhe nuk hapet rruga për një reformim të tillë, do të pasojë dorëheqja.

“Ky nuk është akt emocional, por një qëndrim politik parimor në mbrojtje të statutit, standardeve dhe identitetit politik të LDK-së. Të gjithë ne që kemi përgjegjësi politike para elektoratit të LDK-së kemi për obligim të sigurojmë një proces gjithëpërfshirës, transparent dhe statutar të zgjedhjes së lidershipit të ri të LDK-së. Secili nga ne, përfshirë anëtarët e Kryesisë, të Këshillit të Përgjithshëm, kryetarët e degëve dhe delegatët e Kuvendit të LDK-së, kemi përgjegjësi për t’i dhënë LDK-së drejtimin e duhur”, përfundoi ai./Arbresh.info