Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

19:17 | 15 Janar 2026
E.G

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit S.R., i dyshuar për përfshirje në ngjarjet e dhunshme të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas komunikatës së Gjykatës, vendimi është marrë pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit se S.R. ka kryer veprat penale “Bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale – huliganizmi”.

“Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është i domosdoshëm, pasi nëse i pandehuri lihet në liri ekziston rreziku i arratisjes për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, duke pasur parasysh se i njëjti posedon nënshtetësi të Republikës së Serbisë”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Po ashtu, sipas Gjykatës, ekziston rreziku që i pandehuri të ndikojë në dëshmitarë dhe bashkëkryes, si dhe të pengojë rrjedhën normale të hetimeve. “Çdo masë tjetër më e butë do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, theksohet më tej në komunikatë.
Gjykata bën të ditur se S.R. dyshohet se më 29 maj 2023, në perimetrin e objektit të Komunës së Zveçanit, në koordinim me persona të tjerë të dyshuar, ka marrë pjesë aktive në një turmë që, përmes përdorimit të dhunës, ka tentuar të pengojë vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore të vendit.

“Në kundërshtim me urdhrat e pjesëtarëve të KFOR-it për shpërndarje të qetë të turmës, të dyshuarit kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se si pasojë janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, tre prej të cilëve nga armë zjarri.

Sipas Gjykatës, nga ngjarjet e asaj dite janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe automjetet e gazetarëve që kanë raportuar nga vendngjarja.

Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë./Arbresh.info