Me aktivitete të ndryshme përkujtimore, sot dhe nesër shënohet 27-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.
Sot, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut, ndërsa në ora 10:00, në Bibliotekën e Qytetit, do të organizohet tryezë shkencore në përkujtim të të rënëve të Masakrës së Reçakut, nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.
Ndërkaq, të enjten, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në ora 09:00 do të zhvillohen homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, në ora 10:30 homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, në ora 12:00 do të mbahet Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në ora 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni II, ideatore dhe krijuese Emine Jetishi, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ndërsa në ora 15:00 do të zhvillohet finalja në futboll të vogël e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.
Këto aktivitete mbahen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Shoqatave të Dala nga Lufta./rtk

Costa sot në Shqipëri, nesër në Kosovë
BE miraton ligjin më të rreptë të migracionit ndonjëherë, çf...
Parashikimi i motit për këtë të martë në Shqipëri
Hamza mban konferencë për media sot
Të paktën pesë persona u vranë në sulmet ruse në Ukrainë
Punëtorët e sigurimit fizik në UP nisin grevën