63 seanca, asnjë rezultat: Kriza e pazakontë e Kuvendit të Kosovës gjatë 2025-tës

16:38 | 1 Janar 2026
E.K

Për herë të parë në historinë e vendit, Kuvendi i Kosovës është përballur me një krizë të thellë institucionale dhe politike.

Zgjedhjet e 9 shkurtit, ndonëse prodhuan rezultate të qarta zgjedhore, nuk arritën të sjellin pajtim politik mes subjekteve parlamentare, duke e shndërruar procesin e konstituimit në një maratonë të dështimeve të njëpasnjëshme.

Që nga seanca e parë konstituive e mbajtur më 15 prill 2025, Kuvendi hyri në një cikël të përsëritur seancash, ku procedurat formale zhvilloheshin, por vendimmarrja bllokohej vazhdimisht.

Deputetët e LVV, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nisma-s u betuan, rendi i ditës miratohej, por pika kyçe — zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit — mbetej e pazgjidhur.

Me kalimin e javëve, seancat u shndërruan në formalitet pa përmbajtje. Sallë e mbushur, kamera të ndezura, por asnjë rezultat konkret.

Aso kohe, partia fituese e zgjedhjeve VV, të cilës i takon posti i kryeparlamentarit, këmbëngulte në emrin e gruas më të votuar, Albulena Haxhiut.

LDK, PDK, AAK e Nisma e kundërshtuan, e Kuvendi vazhdonte të mbetej i pakonstituar edhe pas 56 seancave

Në seancën e 20 gushtit, deputetët nuk u dhanë vota të mjaftueshme dy të propozuarave të Vetëvendosjes për kryekuvendare Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla.

Kuorumin e nevojshëm s’e kishte as i propozuari i tretë i kësaj partie më 22 gusht, Hekuran Murati.

Murati u propozua edhe më 24 gusht por sërish dështoi.

Votat e mjaftueshme nuk i morën as dy të propozuarit tjerë atë ditë, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha.

Ky i fundit u propozua edhe në seancën e 26 gushtit, dhe arriti t’i marr 73 vota për, 30 kundër e 8 abstenime.

Në po këtë seancë, u votuan edhe katër nënkryetarët, Albulena Haxhiu nga VV, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDKsi dhe Emilija Rexhepi nga komuniteti jo-serb.

Kurse me 10 tetor, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb u zgjodh Nenad Rashiq.

Kuvendi i Kosovës më në fund u konstitua e nënkryetarët zunëvendet e tyre.

Mirëpo kjo nuk është e gjitha, vendi po hynte në një fazë të re tëngërçit institucionale, ajo e krijimit të Qeverisë.

Fituesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, Albin Kurti propozoi kabinetin e tij qeveritar me 19 ministra, ndonëse ishte e ditur që nuk do t’i merrte votat e mjaftueshme.

Qeveria Kurti 3 nuk u votua.

Si një mundësi e fundit për të dal nga ngërçi, ishte propozimi i një kandidati tjetër për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Albin Kurti propozoi nënkryetarin e LVV-së dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më 19 nëntor, Konjufca para deputetëve propozoi kabinetin e tij qeveritar.

As ai nuk arriti ti marr votat e mjaftueshme për Qeverinë Konjufca 1 duke e dërguar kështu vendin në zgjedhje të parakohshme.

Plot 63 seanca konstituive u mbajtën dhe asnjëra nuk arriti ta përmbyllë procesin, duke e futur vendin në një ngërç të pashembullt institucional.

Ky numër i lartë seancash nuk ishte tregues i demokracisë aktive, por i mungesës së vullnetit politik për kompromis.

Vendi mbeti pa buxhet për vitin 2025, tri komuna pa buxhetin e tyre, e miliona euro të humbura nga fondet e BE-së.

Pas një mori dështimesh, Presidentja Vjosa Osmani detyrimisht ftoj në takim krerët e partive politike për caktimin e datës sëzgjedhjeve të parakohshme.

Mes tensioneve e deklaratave kundërshtuese, 28 dhjetori ishte data përfundimtare e zgjedhjeve të reja që i mbajti vendi.

Ndonëse fituesi mbetet enigmë, mbetet të shihet që ky vit i ri të filloj me legjislaturë të re e krijim të institucioneve të reja./Arbresh.info/Ejona Hyseni