Supremja sot shqyrton ankesën e Krivaqës

07:31 | 22 Dhjetor 2025
E.G

Në orën 09:00 pritet të mbahet seanca në Gjykatën Supreme për shqyrtimin e ankesës kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila kishte vërtetuar dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës.

Krivaqa është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Marigona Osmanit, ndërsa Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e veprës. Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj të 29 korrikut 2024.

Gjykata Supreme kishte kthyer rastin për përmirësim të vendimit, pasi nuk ishte njohur e drejta e ankesës, sipas nenit 407 të Kodit të Procedurës Penale. Aktvendimi i 9 shtatorit 2025 nga Gjykata e Apelit përmirësoi aktgjykimin, duke shtuar Këshillën Juridike për të drejtën e ankesës,

Marigona Osmani, 18 vjeçe, u vra më 22 gusht 2021 në banesën e Dardan Krivaqës në Ferizaj. Sipas aktakuzës, Krivaqa dhe Sejdiu e privuan nga jeta Osmanin për të fshehur një vepër tjetër penale.

Shpërndaje në rrjete sociale