Zelensky: ShBA-ja propozon bisedime direkte me Rusinë

14:12 | 21 Dhjetor 2025
E.G

Gjatë bisedimeve në Majami për fundin e luftës në Ukrainë, sipas të dhënave ukrainase, SHBA-ja ka propozuar një format të ri bisedimesh. Ushingtoni synon të ulë në një tryezë përfaqësues nga Kievi dhe Moska.

Për herë të parë që prej gjashtë muajsh sërish mund të ketë bisedime direkte ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë për një armëpushim të mundshëm në luftën e agresionit rus ndaj Ukrainës. “SHBA propozon një takim trilateral të këshilltarëve sigurisë kombëtare: Amerikë, Ukrainë, Rusi”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski në Kiev.

Ai vuri kushte për bisedimet direkte me përfaqësuesit e Moskës. “Nëse mund të zhvillohet një takim i tillë, për të shkëmbyer të burgosurit ose për mundësuar një marrëveshje lidhur me takimin tripalësh të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, ne do t’i mbështesim këto propozime”, tha Zelenski. “Të shohim si do të zhvillohen gjërat.”

Bisedimet në Majami

Të premten (19.12.2025) në Majami në shteti federal të Floridës në SHBA kanë filluar bisedime ndërmjet përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Europës. Pjesëmarrës janë kryenegociatori ukrainas Rustem Umerov dhe shefi i shtabit të përgjithshëm Andrij Hnatov, i dërguari i posaçëm i SHBA-së Steven Witkoff dhe Jared Kushner si dhe përfaqësues të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe. Për Gjermaninë është në bisedime këshilltari i kancelarit për politikën e jashtme, Günter Sautter.

Ndërmjetësuesit e SHBA-së do të vazhdojnë bisedime të veçanta me palën ruse. Kirill Dmitrijev, këshilltari i presidentit të Rusisë konfirmoi pjesëmarrjen në bisedimet në Florida. Në platformën X ai shkruan, se po udhëton për në Majami. Në mesazhin e tij ai publikon edhe një një emoji me një pëllumb paqeje.

Nëse do të arrihet në fund në një takim trilateral ndërmjet përfaqësuesve amerikanë, rusë dhe atyre ukrainas, kjo deri tani mbetet e hapur.

Bisedimet e fundit direkte kanë qenë në Stamboll

Së fundi delegacionet ukrainase dhe ruse janë takuar zyrtarisht për bisedime direkte në korrik në Stamboll. Në valën e këtyre bisedimeve u ra dakord për shkëmbimin e të burgosurve, por nuk pati asnjë përparim konkret.

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Marco Rubio, i hodhi poshtë njoftimet, që linin të kuptohej, se qeveria e tij do t’i imponojë Ukrainës të pranojë marrëveshjen e paqes me Rusinë. “Ne nuk mund t’ia imponojmë Ukrainës një marrëveshje. Ne nuk mund t’ia imponojmë Rusisë një marrëveshje. Ato duhet ta duan vet një marrëveshje, tha Rubio. Të enjten (18.12.2025) presidenti i SHBA-së Donald Trump sërish i bëri thirrje Kievit që të “lëvizë” më shpejt drejt marrëveshjes. /DW

Shpërndaje në rrjete sociale