Kosova është përfshirë në listën e parë të vendeve të sigurta të origjinës, të miratuar sot nga negociatorët e Bashkimit Evropian, në kuadër të një marrëveshjeje që synon përshpejtimin e procedurave për trajtimin dhe deportimin e azilkërkuesve të refuzuar, njofton agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Sipas kompromisit të arritur mes qeverive të BE-së dhe Parlamentit Evropian, në këtë listë do të përfshihen gjithashtu Maroku, Tunizia, Egjipti, Kolumbia, India dhe Bangladeshi. Vendosja e Kosovës në këtë listë nënkupton se kërkesat për azil nga shtetasit e saj do të shqyrtohen sipas një procedure të përshpejtuar, por jo automatike, pasi çdo rast do të vlerësohet individualisht.
Po ashtu, si parim i përgjithshëm, vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen vende të sigurta të origjinës, çka mund të përfshijë edhe Shqipërinë, Malin e Zi dhe Turqinë. Megjithatë, përjashtime mund të aplikohen në raste të veçanta, si vendosja e sanksioneve nga BE-ja apo shpërthimi i konflikteve të armatosura në ndonjë shtet.
Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se lista mund të zgjerohet edhe në të ardhmen, ndërsa Komisioni Evropian do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në vendet e përfshira. Nëse rrethanat ndryshojnë, Komisioni ka të drejtë të pezullojë përkohësisht statusin e një vendi si të sigurt.
Lista e përbashkët e BE-së do të jetë ligjërisht e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare, ndonëse aplikimet për azil do të vazhdojnë të trajtohen rast pas rasti. Aplikantët nga vendet e listuara nuk do të deportohen automatikisht, por do t’i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara.
Ndërkohë, Gjermania tashmë ka një listë kombëtare të vendeve të sigurta të origjinës. Nga lista e re e BE-së, vetëm Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi janë aktualisht të klasifikuara si të sigurta sipas legjislacionit gjerman.
Marrëveshja e arritur sot ende kërkon miratimin formal nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare të BE-së, një hap që zakonisht konsiderohet procedural pas arritjes së kompromisit mes negociatorëve.
Për Kosovën, përfshirja në listën e BE-së të vendeve të sigurta të origjinës nënkupton se kërkesat për azil të shtetasve të Kosovës në vendet e BE-së do të trajtohen me procedurë të përshpejtuar. Duke qenë se Kosova konsiderohet vend i sigurt, shumica e kërkesave për azil pritet të refuzohen, përveç rasteve të veçanta individuale. Ky vendim njëherësh shihet tregon se BE-ja e konsideron Kosovën vend relativisht stabil dhe të sigurt.
“Pastrimi” publikon pamje të qytetarëve që hedhin mbeturina ...
“Memories” e Gjestit emocionon Londrimin
Shtatë ankesa në PZAP lidhur me rezultatin përfundimtar të z...
FSK realizon kursin “Combat Life Saver” për kujdes mjekësor ...
“Janë të reja për ty”, “Nuk më ke parë në aksion”- Dalin bis...
“S’je mirë nga mendtë”, Hygerta e ashpër me Albën