Nisma ka një kusht për të marrë pjesë në takimin me presidenten

19:11 | 5 Shkurt 2016
M. A.

Bilall Sherifi i Nismës për Kosovën, ka thënë se kjo parti merr pjesë në takimin e thirrur të hënën nga presidentja Atifete Jahjaga, me kusht që aty të flitet për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Opozita e Bashkuar, në funksion të zgjidhjes së krizës politike, deri tani ka qenë shumë korrekte me presidenten dhe në vazhdimësi i është përgjigjur ftesave të saj. Në anën tjetër, presidentja asnjëherë nuk i është përgjigjur kërkesave të opozitës”, ka thënë Sherifi për Koha.net, teksa ka pasur edhe shembuj.

“Ne ia dërguam asaj peticionin e mbi 205 mijë nënshkrimeve të qytetarëve dhe nuk morëm asnjë përgjigje nga ajo. Ia dërguam një letër e cila është bërë publike për opinionin, përmes së cilës kërkuam nga ajo që të bëjë veprimet e nevojshme për të shpallur zgjedhjet e parakohshme. Dhe, edhe në këtë rast ajo nuk e pa të arsyeshme që së paku të shkruajë dy fjalë në një letër për t’i thënë opozitës se cili është qëndrimi i saj për këto kërkesa”, ka thënë Sherifi.

Anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën ka konstatuar kësisoj se deri më tani presidentja në vazhdimësi ka injoruar kërkesat e opozitës.

“Prandaj, sa i përket takimit të së hënës, Nisma nuk do të marrë pjesë në takime të tilla, të cilat janë takime sa për t’u takuar. Nëse presidentja thërret takim me rend të ditës organizimi i zgjedhjeve të parakohshme atëherë, padyshim se shkojmë në një takim të tillë. Për takime të tjera mendojmë se nuk ndihmojnë në zgjidhjen e krizës”, ka thënë ai më tej.

Shpërndaje në rrjete sociale