Merr flakë makina në Llogara, digjet një person brenda automjetit, policia rrethon zonën

16:27 | 15 Dhjetor 2025
E.G

Një automjet tip BMW është përfshirë nga flakët në Qafën e Llogarasë, konkretisht në zonën që të çon drejt antenave. Brenda makinës është gjetur trupi i një personi të djegur.

Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti është shkrumbuar plotësisht. Si pasojë e djegies totale, targa e mjetit nuk ka qenë e identifikueshme.

Pak minuta më vonë në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.