‘Arkitektët e Inteligjencës Artificiale’ shpallen Personi i Vitit nga Revista Time

20:30 | 11 Dhjetor 2025
E.H

Personi i Vitit i revistës Time për vitin 2025 nuk është një person i vetëm.

Në vend të kësaj, revista ka njohur figurën më me ndikim të vitit si “arkitektët” e Inteligjencës Artificiale (IA).

Shefi i Nvidia, Jensen Huang, kreu i Meta, Mark Zuckerberg, pronari i X, Elon Musk dhe Fei-Fei Li, janë ndër ata që përshkruhen në njërën nga dy kopertinat e revistës.

Ekspertët thonë se kjo nxjerr në pah se sa shpejt IA dhe firmat që qëndrojnë pas saj po e riformësojnë shoqërinë, përcjell Telegrafi.

Kjo vjen ndërsa një bum në teknologji, i nxitur nga lansimi i ChatGPT nga OpenAI në fund të vitit 2022, vazhdon me ritëm të shpejtë.

Shefi i saj, Sam Altman, tha në shtator se chatbot-i i saj përdoret nga rreth 800 milionë njerëz çdo javë.

Firmat e mëdha të teknologjisë po investojnë miliarda dollarë në IA dhe infrastrukturën që qëndron pas saj në një përpjekje për të qëndruar përpara rivalëve.

Këtë vit ka dy kopertina – njëra një vepër arti që përshkruan shkronjat IA të rrethuara nga punëtorët dhe një tjetër një pikturë e fokusuar në vetë liderët e teknologjisë.

Tek Meta, thuhet se Zuckerberg e ka përqendruar firmën rreth teknologjisë, duke përfshirë edhe chatbot-in e saj të Inteligjencës Artificiale, të cilin e ka integruar në aplikacionet e saj të njohura.

Ai, së bashku me Huang, Musk, Li dhe Altman, u shfaqën në kopertinë së bashku me Lisa Su, shefen e prodhuesit të çipave AMD, drejtorin e Anthropic, Dario Amodei, dhe drejtuesin e laboratorit të inteligjencës artificiale të Google, Sir Demis Hassabis.

“Këtë vit, debati rreth mënyrës së përdorimit të përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale ia la vendin një sprinti për ta vendosur atë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Time ndërsa njoftoi kopertinat e saj të reja.

“Por ata që nuk i kushtojnë vëmendje rrezikut nuk janë më në dorën e shoferit”.

“Falë Huang, Son, Altman dhe titanëve të tjerë të IA-së, njerëzimi tani po fluturon në autostradë, pa frena, drejt një të ardhmeje shumë të automatizuar dhe shumë të pasigurt”.

Dhe kryeredaktori i revistës, Sam Jacobs, tha se “askush” nuk pati një ndikim aq të madh në vitin 2025 sa “individët që imagjinuan, projektuan dhe ndërtuan IA-në”.

“Njerëzimi do të përcaktojë rrugën e IA-së përpara dhe secili prej nesh mund të luajë një rol në përcaktimin e strukturës dhe të ardhmes së IA-së”, tha ai.

E analisti i Forrester, Thomas Husson, theksoi se viti 2025 mund të shihet si një “pikë kthese” për sa shpesh përdoret IA tani në jetën tonë të përditshme.

“Shumica e konsumatorëve e përdorin atë pa qenë as të vetëdijshëm për të”, i tha ai BBC-së. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale