Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se votimi i diasporës kosovare jashtë ambasadave dhe konsullatave është praktikë e aplikuar edhe në vendet e BE-së.
Ky reagim i Kusari-Lilës vjen pasi PZAP ka rrëzuar vendimin e KQZ-së, i cili parashihte hapjen e qendrave të votimit edhe në hapësira shtesë jashtë misioneve diplomatike, sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, transmeton Arbresh.info.
Sipas Kusari-Lilës, janë shqetësuese deklaratat e zyrtarëve të LDK-së që kundërshtojnë mundësinë e votimit në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike.
“Shqetësuese dhe paranoike janë deklaratat e zyrtarëve të LDK-së që kundërshtojnë mundësinë e votimit në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike, në shkolla, qendra komunitare ose objekte të tjera ku jetojnë dhe mblidhen qytetarët tanë jashtë vendit. Mosmundësimi i kësaj forme votimi përbën një shans të humbur për Kosovën dhe komunitetin tonë jashtë vendit”, ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
“Për të qenë të qartë, praktika evropiane dhe ndërkombëtare e mbështet fuqishëm këtë formë votimi:
• Turqia organizon qendra votimi jashtë ambasadave, veçanërisht në vendet ku jetojnë komunitete të mëdha turke, duke përdorur shkolla, qendra komunitare dhe salla sportive.
• Romania dhe Kroacia hapin dhjetëra qendra votimi për diasporën në vende të ndryshme, duke mundësuar votim të lehtë dhe të sigurt për qytetarët jashtë vendit.
• Moldavia hap polling stations në 45 vende jashtë vendit, në salla komunitare dhe objekte të tjera, duke garantuar pjesëmarrje të madhe të diasporës.
• Edhe vendet e BE-së me emigracion masiv, si Franca, Italia dhe Spanja, kanë modele të ngjashme, duke bërë të mundur që diaspora të marrë pjesë pa u detyruar të udhëtojë në qytetet ku gjenden ambasadat dhe konsullatat”, thuhet në postimin e saj.
“Është e qartë se vota e diasporës nuk është opsionale, por pjesë thelbësore e legjitimitetit demokratik të Kosovës. Të mohosh këtë mundësi është të mohosh pjesëmarrjen e komunitetit, i cili vazhdon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe social të vendit tonë.”
“Në vend që të gjitha subjektet dhe institucionet të angazhohen për të siguruar votim të lirë, të sigurt dhe të qasshëm për çdo qytetar të Republikës jashtë vendit, ata dëgjojnë britma dhe frikë nga ata që vetë e manipuluan procesin e votimit dhe tani frikësohen nga ballafaqimi me vullnetin e qytetarëve tanë jashtë vendit.”
“Votimi në qendrat jashtë përfaqësive diplomatike është jo vetëm një standard demokratik, por edhe një shans për Kosovën të tregojë se respekton të drejtën e çdo qytetari për të vendosur mbi të ardhmen e vendit të vet”, tha në fund Kusari-Lila./Arbresh.info
PZAP rrëzon vendimin e KQZ-së, certifikon Listën Serbe për t...
Orav përshëndet konsolidimin e qeverisjes lokale në 20 komun...
Qeveria britanike ofron deri në 3000 paund për emigrantët sh...
Gjermania hedh poshtë pretendimet e SHBA për Evropën: Ne nuk...
BE mirëpret betimin e kryetarëve në komunat e veriut
Osmani uron Tajlandën për Ditën Kombëtare: Mezi pres të forc...