Varroset Behar Topilla, mbijetuesi i vetëm nga masakra e Shavarinës

21:41 | 30 Nëntor 2025
E.G

Zërit që dëshmoi për 40 trupa të masakruar nga serbët në Shavarinat e Çikatovës së Vjetër, iu dha sot lamtumira e fundit.

Oborri i varrezave të Topillve të Gllansellës u mbush me njerëz të dielën për të mbijetuarin e një prej ngjarjeve më të tmerrshme të Kosovës gjatë luftës .

Behar Topilla, i cili ndërroi jetë të martën u kthye në vendin e lindjes për të pushuar përgjithmonë.

Për atë që përjetoi i ndjeri në moshën 18 vjeçare u fol edhe në varrimin e tij.

Topilla ndërroi jetë më 25 Nëntor.

Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin “Sole Survivor” – “I mbijetuari i vetëm”.

Ai kishte mbetur i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave, derisa arriti të shpëtonte.

Behar Topilla mbeti dëshmitar kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

Zëri i tij ishte pjesë e dëshmisë së gjallë për masakrën e Shavarinës, një histori që ai e mbajti në shpirt deri në fund të jetës.

Largimi i tij lë një boshllëk të madh, pasi me të shuhet edhe një zë i pazëvendësueshëm i së vërtetës historike.

Megjithatë, rrëfimi i tij mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive dhe do të jetojë si dëshmi e qëndresës përballë krimeve të luftës.

Shpërndaje në rrjete sociale