Turizmi “ringjallet” në vjeshtë, tetori sjell 908 mijë të huaj në Shqipëri

23:28 | 25 Nëntor 2025
E.H

Pas një vere të zbehtë duket se turizmi po “lulëzon” në vjeshtë në Shqipëri, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga turoperatorët.

Muaji tetor ka rikthyer rritjen dyshifrore të të huajve hyrjet e të cilëve rezultuan mbi 908 mijë dhe më një rritje 19.3% në raport me tetorin e një viti më parë.

Të dhënat zyrtare të Lëvizjes së Shtetasve publikuar nga Instituti i Statistikave tregojnë se në total nga janari deri në tetor kanë hyrë 11.1 milionë të huaj.

“Në tetor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 668.623, duke pësuar një rritje me 7,7%, krahasuar me Tetor 2024.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 908.642. Ky numër është rritur me 19,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në publikim.

Në Tetor 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 73% të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 12% dhe Evropa Qendrore/Lindore me 6%.

Ndërkohe sipas INSTAT në muajin tetor 2025, 659.405 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 5,6%, krahasuar me tetor 2024. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit tetor 2025, janë 886.175. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 24,4%.

Ecuria e turizmit

Turizmi gjatë këtij viti ka treguar luhatshmëri të vazhdueshme. Pas një rritjeje të vrullshme dy viteve të fundit ky ishte viti i parë me një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes në disa muaj sidomos gjatë verës.

Kjo erdhi si pasojë e një sërë zhvillimeve jo pozitive të cilave iu dha zë disa herë edhe nga dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit.

Konkretisht problemet e hasura me energjinë, ujin, mbetjet por edhe zhurma në kantiere dhe ndërtimet aktive në zonat turistike krijuan pakënaqësi tek turistët që e bënë këtë të dukshme në rrjete sociale por edhe në anketat e agjencive të huaja.

Një tjetër element ishte rritja e çmimeve çdo fillim sezoni kryesisht maj dhe qershor që krijon panik tek turistët low cost që po vizitojnë Shqipërinë ndërkohë që zhvlerësimi i euros ka ndikuar edhe tek pushuesit nga Kosova të cilët një lloj uljeje e pësuan edhe si efekt i liberalizmit të vizave nga viti i kaluar.

Turoperatorët kanë kërkuar që të merren masa për vitin në vijim në mënyrë që pavarësisht një rritjeje më të ulët Shqipëria të ketë qëndrueshmëri në turizëm një sektor që po shfaq shenja lëkundjeje shumë shpejt. Pritshmëria është që edhe vit ii ardhshëm të ketë të njëjtën ecuri si ai aktual./ Monitor

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme