Komiteti Ekzekutiv i FFK-së mbanë mbledhjen e radhës – diskutime dhe vlerësime për futbollin kosovar dhe Kombëtaren e Kosovës

15:35 | 24 Nëntor 2025
A Z

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e futbollit kosovar dhe performancën e ekipeve kombëtare.

Mbledhja, e udhëhequr nga presidenti Agim Ademi, u fokusua në analizimin e garave, shqyrtimin e kërkesave të klubeve dhe përcaktimin e prioriteteve për fazën e ardhshme të punës.

Në një periudhë ku futbolli i Kosovës po përballet me sfida, por edhe me mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas kualifikimit të Kombëtares A në “play-off”-in e Botërorit 2026, KE vlerësoi nevojën për organizim të qëndrueshëm, investime të vazhdueshme dhe fokus të shtuar në përgatitjet për ndeshjet vendimtare që e presin ekipin kombëtar.

Gjatë takimit u morën disa vendime me peshë strategjike, të cilat synojnë të forcojnë futbollin vendor, të përmirësojnë kushtet infrastrukturore dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e aktiviteteve të planifikuara për vitin e ardhshëm.

Njoftimi i plotë nga FFK për mbledhjen e KE:

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës nën drejtimin e presidentit Agim Ademi.

Gjatë këtij takimi u analizua rrjedha e garave në të gjitha rangjet dhe u shqyrtuan një sërë kërkesash dhe propozimesh të paraqitura nga klubet e futbollit, me synim analizimin e sfidave, nevojave dhe prioriteteve të tyre për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e garave.