Trump: Pa marrëveshje, Irani do përballet me probleme që nuk janë parë kurrë më parë

09:32 | 21 Prill 2026
E.K

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se rikuperimi i uraniumit të pasuruar nga Irani do të jetë një proces “i gjatë dhe i vështirë”. Në një postim, ai përmendi operacionin e koduar Midnight Hammer, i cili u zhvillua nga SHBA në qershorin e kaluar dhe përfshiu 125 avionë ushtarakë amerikanë që shënjestruan tre objekte bërthamore iraniane: Fordo, Natanz dhe Isfahan.

Trump theksoi se bisedimet e paqes me Iranin pritet të fillojnë këtë javë në Pakistan, duke shtuar se ai ka epërsinë në çdo negociatë.

“Unë po fitoj një luftë, gjërat po shkojnë shumë mirë,” shkroi ai, duke nënvizuar se marrëveshja e re do të jetë “shumë më e mirë se JCPOA”, marrëveshja e arritur në vitin 2015 nga administrata Obama.

Presidenti amerikan mohoi raportimet se është nën presion për të arritur një marrëveshje, duke i cilësuar ato si “lajme të rreme”.

“Epo, ata do të negociojnë, dhe nëse nuk e bëjnë, do të përballen me probleme që nuk janë parë kurrë më parë. Nuk do të kenë qasje në armë bërthamore, as ndonjë mundësi për t’i pasur ato. Dhe ne nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Kjo mund të nënkuptojë shkatërrimin e botës, dhe ne nuk do ta lejojmë këtë,” tha Trump.

Shpërndaje në rrjete sociale