Gazetari Nevrij Ademi kërkon falje për deklaratat ndaj Daorsa Spahija, vizitë te familja e saj

13:57 | 12 Nëntor 2025
E.K

Sot gazetari Nevrij Ademi u takua me familjen Spahija në Gjakovë, ku shprehu ngushëllimet për humbjen e vajzës së tyre, Daorsa Spahija, dhe kërkoi falje për komentet e tij publike që kanë shkaktuar reagime.

Ademi ishte i shoqëruar nga hoxhallarë, përfshirë Muharem Ismaili — imam dhe hatib i xhamisë Isa Beu në Shkup — si dhe Abdurahman Bejtullahu nga Gjakova.

Gazetari gjatë raportimeve për rastin e Daorsës pati përdorur gjuhë denigruese dhe insinuata pa bazë, përfshirë pretendime për lëndë narkotike dhe sjellje “të lëvizshme”.

Postimi i plotë:

Sot, bashkë me Hoxhën Muharem Ismaili – imam dhe hatib i xhamisë Isa Beu në Shkup, si dhe Hoxhë Abdurahman Bejtullahun nga Gjakova, vizituam familjen Spahija në Gjakovë për t’u shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e vajzës së tyre, Daorsës.

U pritëm me dinjitet e mirëkuptim nga babai i saj, z. Arbër Spahija, me të cilin zhvilluam një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Në këtë takim, shfrytëzova rastin të kërkoj falje për deklaratën time të nxituar, e cila ka mundur të prekë ndjenjat e familjes. Falja është virtyt, e unë e ndjeva si detyrë njerëzore dhe profesionale të kërkoj mirëkuptim.

Bashkë u pajtuam se mbi gjithçka duhet të qëndrojë e vërteta dhe drejtësia. I premtova z. Spahija se si gazetar do të lëviz çdo gur që rasti i Daorsës të mos mbetet në heshtje, por të marrë vëmendjen dhe trajtimin që meriton.

Në fund, unë dhe z. Spahija zgjatëm dorën me respekt e burrëri dhe u zotuam se do të qëndrojmë në krah të drejtësisë për Daorsën.

Sepse drejtësia është amanet, e kujtimi i saj është përgjegjësi që nuk shuhet./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale