LVV: Në Prizren flasim me projekte konkrete

23:12 | 7 Nëntor 2025
R J

Në tubimin elektoral në Prizren, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kandidati i kësaj partie për kryetar komune, Artan Abrashi, është një nga aktivistët më të mëdhenj të partisë. Kurti prezantoi edhe prioritetet dhe premtimet kryesore për zhvillimin e Prizrenit, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës, ekonomisë dhe shërbimeve për qytetarët.

Derisa foli për rritje të buxhetit, Kurti tha se ajo për komunat do të jetë deri në 50%. Zonë ekonomike me park industrial, turizëm funksional, përkujdesje për fëmijë e të moshuar, ishin disa nga premtimet e dhëna nga Kurti për prizrenasit.

“Në Prizren flasim me projekte konkrete, do të bëhen trafiku, qytet që funksionon 365 ditë në vit. Me prioritet rrugë të rregulluara, mbështetje për tregë e turizëm kulturor. Prizreni ka pasur improvizime, qyteti ka nevojë për shërbime që funksionojnë, administrata do të jetë digjitale. Me Artan Abrashin kryetar, çerdhet do të kenë kuzhina e ushqim, familjet në nevojë do të kenë mbështetje të vazhdueshme, transport publik, investime në arsim, mundësi për djem e vajza. Do ta bëjmë edhe zonën ekonomike të Prizrenit, të rriten pagat në sektorin privat, për këto na duhet një kryetar në Prizren, e ky është Artan Abrashi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kandidati për kryetar të Prizrenit nga LVV-ja, Artan Abrashi, premtoi se do të përkushtohet më shumë në zhvillim në të mirë të të gjithë qytetarëve të kësaj komune.

Abrashi përmendi rrugën Prizren-Tetovë si një rrugë që do t’i lidhë shqiptarët, derisa tha se do ta kthejë komunën si një shtëpi të qytetarëve:

“Sonte është fillimi për qytetin tonë ta kthejmë Prizrenin që e duam të gjithë, që punon çdo ditë. Kam parë shpresën e qytetarëve, kam parë një Prizren shprese. Do të keni një Prizren që kujdeset dhe funksionon 365 ditë me ekonomi që zhvillohet, ku kultura, sporti, tradita bashkohen dhe rrezatojnë jetë”, ka thënë Abrashi.

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prizrenit ka për kundërkandidat atë të PDK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale