Messi mund të rikthehet në “Camp Nou”, Laporta zbulon planin

19:18 | 7 Nëntor 2025
R J

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur dëshirën për të organizuar një ndeshje revyale për Lionel Messin gjatë inaugurimit të stadiumit të rinovuar “Spotify Camp Nou”.

 

Ylli argjentinas po vazhdon me formë të lartë te Inter Miami, me të cilët së fundmi ka rinovuar kontratën deri në vitin 2028.

Megjithatë, Laporta ka treguar se dëshiron që rikthimi i Barcelonës në stadiumin e saj legjendar të shoqërohet me një nderim të veçantë për ish-kapitenin katalanas.

“Do të ishte një mënyrë e bukur për të inauguruar ‘Camp Nou-n’, me një nderim për Messin dhe stadiumin plot. Do të isha i lumtur të organizonim një ndeshje homazhi për Lionel Messin”, tha Laporta.

Klubi katalanas është shumë pranë rikthimit në shtëpinë e vet historike, me ndeshjen ndaj Alaves në fund të këtij muaji që pritet të jetë e para në stadiumin e rinovuar.

Sot, Barcelona zhvilloi një seancë stërvitore të hapur për rreth 23 mijë tifozë, si test përpara rikthimit zyrtar në “Camp Nou”.

Marrëdhënia mes Messit dhe Laportës kishte qenë e tensionuar që nga largimi i papritur i argjentinasit në vitin 2021, kur klubi nuk rinovoi kontratën për arsye financiare.

Megjithatë, presidenti katalanas ka pranuar se raportet mes tyre janë përmirësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit.

Të ngjashme