Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Belgjikës do të mblidhet urgjentisht këtë të enjte, pas një serie incidentesh me dronë që shkaktuan kaos në aeroportet belge dhe ngritën shqetësime serioze për sigurinë kombëtare.
Të martën në mbrëmje, aeroporti ndërkombëtar i Brukselit, më i ngarkuari në vend, u detyrua të ndalonte për disa orë nisjet dhe mbërritjet, duke çuar në anulimin e dhjetëra fluturimeve dhe vonesa të gjata. Një situatë e ngjashme u shënua edhe në aeroportin e Liège, një qendër e rëndësishme për transportin e mallrave, ku u raportuan anulime dhe devijime fluturimesh.
Ndërkohë, në qytetin flamand të Diest, policia dhe ushtria raportuan se kishin parë katër dronë që fluturonin mbi bazën ajrore ushtarake Schaffen. Incidenti erdhi vetëm pak ditë pas pamjeve të tjera të dronëve të pashpjeguar mbi disa baza ushtarake, përfshirë Kleine-Brogel, bazë që strehon avionë luftarakë F-16 dhe mendohet se ruan armë bërthamore amerikane.
Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, tha në një seancë parlamentare se incidentet “duken të koordinuara për të nxitur trazira”, duke përfshirë përdorimin e dronëve të mëdhenj që fluturonin në formacione.
“Kjo është në përputhje me teknikat hibride të vërejtura në vende të tjera. Nuk bëhet fjalë për dikë që thjesht fluturon një dron për argëtim mbi një aeroport apo bazë ushtarake,” tha ai.
Një burim i cituar nga agjencia Belga tha se shërbimet e sigurisë “kanë pak dyshime” se pas incidenteve qëndron një aktor shtetëror, “me shumë gjasë Rusia”. Kjo hipotezë pritet të diskutohet gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të enjten, raportoi Le Soir.
Ngjarjet vijnë në një moment tensionesh të rritura midis Brukselit dhe Moskës. Belgjika është përballur me presion nga partnerët e BE-së për të lejuar përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të financuar ndihmën ndaj Ukrainës.
Javën e kaluar, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev e quajti Francken “budalla”, pas një interviste ku ministri belg kishte deklaruar se një sulm bërthamor rus ndaj Brukselit “do të çonte në rrafshimin e Moskës nga NATO”.
Belgjika gjithashtu është kritikuar nga disa vende të BE-së për bllokimin e një plani për t’i dhënë Ukrainës një hua prej 140 miliardë eurosh, të bazuar në asetet e ngrira ruse të mbajtura në Bruksel.
Aeroporti i Brukselit njoftoi se rreth 95 fluturime u anuluan të mërkurën, ndërsa 400 deri në 500 pasagjerë kaluan natën në terminal për shkak të vonesave. Zyrtarët paralajmëruan se ndërprerjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, për shkak të zhvendosjes së avionëve në aeroporte të tjera./rtsh.al/
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...