Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në edicionin e 10-të të konferencës “Software Freedom Kosova”, organizuar nga “Free Libre Open Source Software Kosova” (FLOSSK). Ngjarja e cila njihet edhe si konferenca më e madhe për teknologjitë e hapura në rajon, u mbajt në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK), në Universitetin e Prishtinës.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se organizata FLOSSK ka treguar se pasioni, bashkëpunimi dhe angazhimi qytetar mund të sjellin progres të prekshëm dhe të qëndrueshëm.
“Përmes punës suaj, Kosova ka organizuar konferenca të mëdha ndërkombëtare si “DebConf” dhe “FOSS4G”, duke dëshmuar se vendi ynë mund të organizojë dhe të kontribuojë në mënyrë domethënëse në lëvizjen globale të burimeve të hapura. FLOSSK ka luajtur gjithashtu një rol kyç në përmirësimin e mbulimit të Kosovës në “OpenStreetMap”, duke ndihmuar në krijimin e të dhënave gjeografike të disponueshme lirshëm që mbështesin navigim dhe planifikim më të mirë. Thënë ndryshe, FLOSSK e ka vendosur Kosovën në hartën e Burimeve të Hapura të Botës. “Software Freedom Kosova 2025″ e vazhdon këtë mision”, tha kryeministri Kurti.
Në vijim, ai shtoi se ky komunitet përfaqëson diçka më të madhe se vetë teknologjia, por edhe hapjen, bashkëpunimin dhe besimin se njohuritë e përbashkëta krijojnë progres të përbashkët, frymë thelbësore për të ardhmen tonë digjitale dhe shoqërore.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet këtë vizion. Teknologjia e hapur, arsimi cilësor dhe bashkëpunimi midis komuniteteve janë mundësues të rëndësishëm të zhvillimit kombëtar. Të rinjtë e Kosovës i inkurajoj të mësojnë dhe studiojnë, të angazhohen dhe të kontribuojnë, si dhe të marrin pjesë në këtë lëvizje globale. Çdo kontribut që jepni – qoftë një linjë kodimi, një prototip hardueri, një përmirësim harte apo një redaktim në Wikipedia – ndihmon në ndërtimin e Kosovës më të fortë dhe më të lidhur me botën”, u shpreh kryeministri Kurti.
Fjalën e tij, kryeministri Kurti e përmbylli duke thënë se teksa shikojmë përpara drejt epokës së inteligjencës artificiale, duhet të sigurohemi që ajo flet edhe shqip, në mënyrë që askush të mos mbetet pas dhe që gjuha, kultura dhe kreativiteti ynë të vazhdojnë të jetojnë dhe të rriten në teknologjitë e së ardhmes./Arbresh.info



LDK shënon 36-vjetorin e themelimit
Dialogu Kosovë–Serbi, Serwer: Kosova duhet të vazhdojë ta ke...
Do kryente sulme në Evropë, Turqia kap figurën e lartë të IS...
Sot vendoset gurthemeli për ndërtimin e Nënstacionit të ri n...
E martë me mot kryesisht të vranët, temperaturat deri në 8°C
Sulmi kibernetik lë jashtë funksionit shërbimin postar të Fr...