Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar Listën Votuese për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Ky vendim u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u theksua se votimi i dytë organizohet në 18 komuna, bazuar në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 12 tetorit.
Komunat ku kandidatët për kryetarë do të përballen në balotazh janë: Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Prishtina, Prizreni, Suhareka, Vitia, Vushtrria, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti.
“Sipas kësaj liste, numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në raundin e dytë të zgjedhjeve në këto 18 komuna është 1,346,397 votues. Ky numër, në krahasim me raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, është më i lartë për 543 votues”, bëhet e ditur në njoftim.
Nga Lista Votuese, rezulton se numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotimet e këtyre komunave është 1,316,672, ndërsa ata të regjistruar për të votuar me postë nga jashtë Kosovës dhe që i takojnë këtyre komunave janë 29,725 votues.
“Kjo Listë Votuese brenda vendit, e raundit të dytë, është plotësuar me personat që nga data 13 tetor deri më 9 nëntor 2025 arrijnë moshën e votimit, ndërkaq janë larguar personat që nga shtatori i këtij viti kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës apo që kanë ndërruar jetë”, theksohet në vendim.
Raundi i dytë i zgjedhjeve do të organizohet në 525 Qendra të Votimit me gjithsej 1,648 vendvotime, përfshirë 507 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 1,628 vendvotime dhe 18 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 20 vendvotime.
Gjithashtu, KQZ ka vendosur numrin e fletëvotimeve që do të shtypen për raundin e dytë. “Sipas vendimit të KQZ-së, do të shtypen 1,158,015 fletëvotime, rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në këtë raund. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave me Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë”, thuhet në njoftim.
Atentat gjeneralit rus, plagoset pas të shtënave me armë zja...
Kosova synon podiumin në Paris Grand Slam 2026
Dyshohet për dallavere me vota, kryesuesja në Deçan ndalohet...
Sa shpenzoi PDK-ja nga tetori në dhjetor, KQZ publikon shifr...
Si i shpenzoi AAK-ja paratë brenda tre muajve
LDK-ja mbi 224 mijë euro shpenzime për tre muaj, 30 mijë vet...