Pacolli: Asnjëherë nuk kam qenë në zyrën e noteres Selimi

18:54 | 23 Tetor 2025
E.G

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me situatën e krijuar rreth kompanisë VIA dhe pretendimeve të dala në media për transferimin e aksioneve të saj.

Në një postim në Facebook, Pacolli ka hedhur poshtë çdo pretendim se ai, apo ndonjë person i autorizuar nga kompania MABCO Construction SA,  pronare e 98% të aksioneve që rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës ka qenë ndonjëherë në zyrën e noteres Valbona Selimi në Tiranë apo ka nënshkruar dokumente në praninë e saj.

“As unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA nuk kemi qenë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur komunikim me të apo me përfaqësuesit e saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument në praninë e saj,”, ka shkruar Pacolli në reagimin e tij.

Ai thekson se pretendimet e noteres Selimi, sipas të cilave ai ka qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj gjatë nënshkrimit të një akti të transferimit të aksioneve, janë “plotësisht të rreme”.

“Unë nuk e njoh noteren Selimi, asnjëherë nuk kam nënshkruar ndonjë akt në prezencën e saj dhe nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë apo për ndonjë dokument që më është lexuar apo paraqitur për nënshkrim nga ajo”, u shpreh ai.

Pacolli e cilëson këtë akt noterial të vitit 2023 si një element themelor të një veprimtarie të dyshuar të kundërligjshme, që sipas tij është ndërmarrë nga Valon Lluka dhe bashkëpunëtorë.

Sipas Pacollit, përmes këtij dokumenti, është tentuar të realizohet transferimi i 47% të aksioneve në muajin prill të këtij viti, një veprim që ai thotë se është mbajtur i fshehur për katër muaj – deri më 18 gusht 2025, kur është zbuluar rastësisht në dokumentacionin e ish-administratorit të shoqërisë VIA.

“Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot”, përfundon deklarata e Pacollit.

Postimi i plotë:

DEKLARATË PËR OPINIONIN PUBLIK

Gjithë perfoljet dhe kjo situatë në lidheshmeri më VIA ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të dyshuara të kundërligjshme të noteres Vjollca Selimi, të ndërmarra në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë të plotë të palës së ligjshme.
Në respekt të së drejtës për informim të opinionit publik, deklaroj sa vijon:

Sipas njoftimeve të publikuara sot në media, noterja në Tiranë, znj. Valbona Selimi, ka pretenduar se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga MABCO Construction SA në shoqërinë “2A”.

Me këtë rast, sqaroj publikisht se as unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, pronare e 98% të aksioneve të cilat rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur asnjë komunikim me të apo me përfaqësues të saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj. Madje, deri më sot, nuk kemi dijeni se ku ushtron aktivitetin e saj noterial.

Megjithatë, në një akt noterial të vitit 2023, ( qe noterja e perdore joligjerishtë si pjese e dokumentacionit për trensfer të pronës) të cilin ajo e cilëson si prokurë, noterja Selimi ka përfshirë deklarime të pavërteta, duke pretenduar me shkrim se unë, Behgjet Pacolli, paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim, më paskësh lexuar aktin në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze dhe se, pas miratimit tim, paskam nënshkruar dokumentin përkatës.

Këto pretendime janë plotësisht të rreme.

Unë nuk e njoh noteren Selimi,

Asnjehere nuk kam nënshkruar ndonje akt në prezencen e saj

Une nuk kam qene asnjehere ne zyret apo ambientet e saj
nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë dhe
asnjë tekst nuk më është lexuar apo paraqitur ndonjëherë për nënshkrim nga ajo ose nga ndonjë person përfaqësues i saj në lidhje me aktet e përmendura.

Në vijim, theksoj se ky akt noterial përbën një element themelor të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme të ndërmarrë nga z. Valon Lluka @ co., me të cilin, në fillim të muajit prill, ka tentuar te realizoi transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht kater muaj me vone 18 gusht 25, në dokumentacionin e ish–administratorit të shoqërisë VIA.

Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot./Arbresh.info/

Të ngjashme