Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot nga ora 09:30, vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët po përballen me akuzën për kryerjen e veprës penale të terrorizmit në rastin e njohur si “Banjskë”.
Në seancën e së hënës, dëshmitari anonim me kodin “A2” u dëgjua në një seancë të mbyllur për publikun, pas miratimit nga ana e trupit gjykues të propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e identitetit dhe sigurisë së tij.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, deklaroi se vendimi për mbylljen e seancës u mor pasi u dëgjua edhe qëndrimi i mbrojtjes, duke u bazuar në nevojën për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarit.
Prokurori special, Naim Abazi, tha se kërkesa është bërë në përputhje me dispozitat e kapitullit XIII të Kodit të Procedurës Penale që rregullojnë mbrojtjen e dëshmitarëve anonimë. Ai sqaroi se përmbajtja e dëshmisë së “A2” përfshin rrethana që, në rast të publikimit, mund të cenojnë sigurinë e dëshmitarit dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
Kërkesa u kundërshtua nga mbrojtja. Avokati i të akuzuarit Spasojeviq, Lubomir Pantoviq, deklaroi se prokuroria nuk ka paraqitur arsye konkrete që justifikojnë përjashtimin e publikut dhe kërkoi refuzimin e propozimit.
Dëshmitari “A2” është një nga tre dëshmitarët anonimë të propozuar në këtë proces, përkrah “F1” dhe “X1”.
Tre të akuzuarit kryesorë po gjykohen për pjesëmarrje në një sulm të armatosur të ndodhur në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit, përmes përdorimit të armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Kosovës për t’ia bashkangjitur Serbisë.
Ndërkohë, gjykata ka refuzuar propozimin që gjykimi ndaj 42 të akuzuarve të tjerë – 41 persona fizikë dhe një person juridik – të vazhdojë në mungesë./rtk
Shqipëria pëson humbje në miqësore, Luksemburgu fiton në Tir...
Google do t’i paguajë SpaceX 920 milionë euro në muaj për ma...
Argjentina merr lajme të mira: Messi afër rikthimit në fushë
Fier: Aksident i rëndë mes dy automjeteve, intervenon polici...
I zhdukur prej më shumë se një jave në Japoni, gjendet i paj...
Kurti: Qeverisja e re do të sjellë investime të mëdha në mbr...