Një zë nga Tirana për çlirimtarët, protestë më 17 tetor kundër padrejtësive

12:42 | 29 Shtator 2025
E.G

Organizata e dala nga lufta e UÇK-së kanë bërë të ditur se më 17 tetor, nga ora 17:00, do të mbahet protestë paqësore në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, me mesazhin: “Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë në Hagë”

Drejtuesit e këtyre organizatave u bëri thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë protestë të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, pas protestave të mbajtura në Prishtinë e Holandë, kanë vendosur që protestën e radhës ta organizojnë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë”, ishin fjalët e para të Gucatit në këtë konferencë, i cili tutje u bëri thirrje të gjithëve që ta mbështesin këtë protestë të organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

“Mesazhi ynë është i thjeshtë dhe i qartë: drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre. Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”, tha Gucati.

Ai i ka shprehur mirënjohje qeverisë së shtetit shqiptar, për, siç tha, kujdesin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj kësaj çështjeje madhore kombëtare.

“Ne jemi shqiptarë dhe na bashkon një gjuhë e një flamur. Ai flamur është flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në sheshin ‘Skënderbej’, më 17 tetor nga ora 17:00, bashkohemi të gjithë të protestojmë kundër padrejtësisë që po bëhet në Hagë”, tha Gucati.