Hapja e 4 kapitujve të tjerë të negociatave, Spiropali: Moment i rëndësishëm në rrugëtimin europian të Shqipërisë

12:09 | 13 Shtator 2025
E.K

Ndërsa kryeministri Edi Rama dha lajmin se më 16 shtator Shqipëria do të mbajë Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ku pritet të hapen edhe 4 kapituj të negociatave për anëtarësim, ministrja e propozuar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali e vlerësoi këtë konferencë si një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Evropës.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali theksoi:

Presidenca Daneze e BE-se ka përcjellë ftesën për hapjen e 4 kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim, të martën e 16 shtatorit, me fokus Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme. Kjo tryezë, që pason hapjen e 24 kapitujve të mëparshëm nga Shqipëria rikonfirmon ritmin e paprecedentë me të cilin vendi është investuar në procesin e negociatave.

Shqipëria 2030 nuk është thjesht një objektiv ambicioz, por plani real e konkret i një skuadre që kërkon të ulet me dinjitet në zemër të Evropës.

Konferenca e 6-të Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 “Axhenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme”, duke përfshirë Kapitullin 14 (Politika e transportit), 15 (Energjia), 21 (Rrjetet trans-evropiane) e 27 (Mjedisi dhe ndryshimet klimatike).

Më 22 maj, në Bruksel u mbajt Konferenca e 5-të Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, i cili përfshin: Kapitullin 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitullin 16 – Taksat; Kapitullin 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitullin 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitullin 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitullin 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitullin 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitullin 29 – Bashkimi doganor

Më 24 mars 2020, ministrat për Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt, që u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm dhe ku BE-ja vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.