IKD publikon raportin: Qeveria Kurti II me shkelje kushtetuese dhe keqpërdorim të pozitave me ushtrues detyre

09:25 | 10 Shtator 2025
E.H

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin mbi qeverisjen e kundërligjshme dhe praktikën e mbajtjes së pozitave me ushtrues detyre gjatë Qeverisë Kurti II.

Në raport thuhet se Kushtetuta dhe Ligji për Qeverinë ndalojnë qartë që një person të mbajë njëkohësisht pozitën e deputetit dhe të anëtarit të Qeverisë.

“Megjithatë, shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë kanë vazhduar të mbajnë të dy funksionet, duke shkelur Kushtetutën dhe Ligjin. Kundërligjshmëria e kësaj praktike është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme, por pavarësisht kësaj, Qeveria jo vetëm që nuk ka zbatuar vendimin, por ka sulmuar publikisht gjyqtarët e saj”, thuhet në raport.

Moslëshimi i zyrave nga ministrat që njëkohësisht janë edhe deputetë ka krijuar pasoja serioze: është cenuar sundimi i ligjit, është dëmtuar imazhi ndërkombëtar i Kosovës – me partnerët që kanë refuzuar takime me Kryeministrin dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë – ndërsa vendimet e marra nga anëtarët në papajtueshmëri janë të kundërligjshme. Kjo situatë ka hapur edhe çështje të përgjegjësisë penale, të cilat po trajtohen nga Prokuroria Speciale. Për më tepër, kjo praktikë rrezikon edhe legjitimitetin e procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit”, thuhet më tej në raport.

“Në anën tjetër, Qeveria Kurti II është karakterizuar si qeveri me ushtrues detyre. Një numër i madh i pozitave janë mbajtur për vite të tëra nga ushtrues detyre, pa u zhvilluar procedurat e rregullta të rekrutimit. Gjykata Supreme ka theksuar se çdo pozitë e mbajtur me ushtrues detyre përtej afatit ligjor është e kundërligjshme dhe vendimet e nxjerra në këto rrethana janë të pavlefshme”, thuhet në raport.

Kjo praktikë, e kundërt me standardet ndërkombëtare të qeverisjes së mirë, ka dëmtuar meritokracinë, ka paralizuar funksionimin normal të institucioneve dhe ka rritur potencialin për korrupsion.

IKD thekson se mbajtja e pozitave me ushtrues detyre duhet të jetë vetëm përjashtim, ndërsa proceset meritore të rekrutimit duhet të jenë rregull./Arbresh.info

Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU:

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme