Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se është shkelur Kushtetuta e Kosovës në votimin e nënkryetarëve të Parlamentit nga radhët e komuniteteve.
Në një komunikatë për media, IKD-ja ka thënë se ky akt paraqet skenar të bllokues drejt konstituimit të Kuvendit.
“IKD ka monitoruar procesin e zhvillimit të seancës konstituive më 26 gusht dhe ka vërejtur se Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka zhvilluar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në kundërshtim me detyrimet që ia ka përcaktuar Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit, Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktika e deritanishme parlamentare”, thekson IKD-ja.
Theksohet se sipas aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet Nr. KO119/14 dhe rastet nr. KO193/25 dhe KO196/25, zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe praktikën e deritanishme parlamentare. Sipas Kushtetutës (Neni 67, paragrafi 4), dhe Rregullores së Kuvendit (Neni 12, paragrafët 4 dhe 5), procedura e përzgjedhjes së nënkryetarëve nga radhët e Komuniteteve është si në vijim:
1. Kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit, si nga komuniteti serb ashtu edhe nga komunitetet e tjera, propozohen me shkrim;
2. Propozimi bëhet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, respektivisht komuniteteve të tjera;
3. Votimi i nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve bëhet në pako (ashtu sikurse votimi i nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare).
“Me përjashtim të formës me shkrim të propozimit, që është risi në Rregulloren e re të Kuvendit, kjo procedurë është ndjekur dhe respektuar vazhdimisht gjatë praktikës parlamentare, përfshirë edhe konstituimin e legjislaturës së kaluar në vitin 2021, gjatë të cilës kjo procedurë ishte ndjekur nga kryesuesi i seancës konstituive, z. Avni Dehari”, thuhet tutje në reagim të IKD-së.
Theksohet se ftesa e Kryetarit të ri të Kuvendit për të propozuar kandidatin për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komuniteteve është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.
Kjo për faktin se, sqaron IKD-ja, kjo Rregullore kërkon formën me shkrim të propozimit për nënkryetarë të Kuvendit, e cila formë nuk u respektua në rastin e Emilija Redžepi. Për këtë arsye, si procesi i propozimit të kandidatit për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb, ashtu edhe zgjedhja e deputetes Emilija Redžepi në pozitën e nënkryetares së Kuvendit u bë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit dhe në mungesë të transparencës. Marrëveshjet politike të cilat u prezantuan nga deputeti Elbert Krasniqi nuk mund të bëhen pjesë e një procesi kushtetues e ligjor.
Tutje theksohet se shkelja e radhës në këtë proces ishte procesi i votimit.
Siç mund të vërtetohet lehtësisht, Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë dy (2) paragrafë të ndarë në lidhje me çështjen e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit.
“Këta dy (2) paragrafë flasin për dy (2) procese të vetme të votimit: votimi i tre (3) nënkryetarëve nga grupet më të mëdha parlamentaren dhe votimi i (2) nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë. Kështu, sikurse nuk mund të ndahet procesi i votimit të nënkryetarëve nga tri (3) grupet më të mëdha parlamentare, njëashtu nuk mund të ndahet as procesi i votimit të nënkryetarëve nga komunitetet. Kështu ka qenë edhe praktika parlamentare e deritanishme, përfshirë praktika e vitit 2021 e udhëhequr nga vet LVV. Për këtë arsye, ndarja e procesit të votimit në këtë rast është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën parlamentare. Ky fakt paraqet shkelje të dyfishtë kushtetuese, si në përzgjedhjen e znj. Redžepi në pozitën e nënkryetares ashtu edhe në mohimin e të drejtës së komunitetit serb për tu përfaqësuar në Kryesinë e Kuvendit”, thuhet në njoftim.
Në lidhje me propozimin për votim të deputetit Nenad Rasic si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, IKD-ja thotë se ai nuk është i propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, të cilën shumicë e përbën Lista Serbe me 9 deputetë. Kështu, vetëpropozimi është i ndaluar si për nga forma që kërkohet me shkrim ashtu edhe për nga materia, që kërkohet të jetë përfaqësim nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.
IKD vëren po ashtu se Kryetari i Kuvendit ka filluar me procesin e shortit në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ngase shorti aplikohet vetëm kur nuk ka propozime të paraqitura, ndërkohë që në këtë rast kishte propozime konkrete nga deputetët e komunitetit serb, të cilat nuk morën votat e nevojshme, dhe në anën tjetër, vet deputetët e këtij komuniteti, refuzuan me të drejtë shortin, për arsye se mënyra e realizimit të votimit për të dy nënkryetarët ishte jo kushtetuese.
“Përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në organet drejtuese të Kuvendit nuk është privilegj, por garanci kushtetuese për integrimin e tyre në procesin demokratik dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Imponimi i vullnetit të pakicave nga shumica parlamentare mbi emrin e përfaqësuesit të pakicave është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje.
Për këtë arsye, në tërësinë e saj, procedura e ndjekur në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo shumicë është në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare.
“IKD kërkon nga Kryetari i ri i Kuvendit që në vazhdimin e seancës konstituive më 28 gusht, të përsëritet procedura e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet dhe procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Nënkryetari nga komuniteti serb dhe nënkryetari nga komunitetet tjera jo-shumicë, pas pranimit të propozimeve me shkrim, duhet të votohen së bashku, në pako. Kjo është e domosdoshme për të garantuar respektimin e rendit kushtetues dhe për të siguruar që procesi i konstituimit të Kuvendit të zhvillohet mbi bazën e rregullave të qarta ligjore e kushtetuese dhe brenda afatit 30 ditor të dhënë nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet tutje në reagimin e IKD-së.
Pacolli kritikon sistemin gjyqësor në Shqipëri: Po sfidohen ...
Sulme dhe kundërsulme: Irani dhe ShBA shkëmbejnë goditje në ...
E shtunë me diell dhe vranësira
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shte...
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi