Rashica: Do ta përfundojmë punën në Stamboll

15:18 | 22 Gusht 2025
R J

Besiktasi mori një rezultat pozitiv të enjten mbrëma, duke barazuar 1:1 në udhëtim ndaj Lausanne, në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës.

Protagonist i takimit ishte Milot Rashica, i cili shënoi në minutën e 45-të për epërsinë e skuadrës turke. Megjithatë, shtatë minuta para fundit, Besiktasi pranoi golin e barazimit.

Pas ndeshjes, Rashica u shfaq i bindur se kualifikimi do të vuloset në ndeshjen e kthimit në Stamboll.

“Do ta përfundojmë punën në ndeshjen kthyese. E kishim posedimin, por u dhamë shumë mundësi kundërshtarëve. Krijuam raste, por edhe ata patën disa mundësi nga gabimet tona. Mund të kishim shënuar edhe një ose dy gola për ta mbyllur më herët. Megjithatë, besoj se do të avancojmë tutje,” tha ai.

Ky ishte goli i parë i Rashicës këtë sezon në katër ndeshje të zhvilluara, dhe i treti në total me fanellën “bardhezi” në garat evropiane.

29-vjeçari u shpreh gjithashtu i gatshëm të luajë në çdo pozitë që i kërkon trajneri, duke theksuar se gabimet e vogla të skuadrës duhet të përmirësohen.