Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e fundit, ka themeluar Këshillin Organizativ për 17 shkurtin, shënimin e tetë-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Pritet që së shpejti këshilli të njoftojë për axhendën festive.
Shteti i Kosovës tashmë ka filluar me organizimet për të shënuar datën historike të vendit; shpalljen e Pavarësisë.
Zakonisht, më 17 shkurt Kuvendi i Kosovës mblidhet në një seancë solemne në orën 15:00, kohë kjo rreth së cilës edhe është shpallur pavarësia, derisa festimet nisin ditë më parë, për të përfunduar me ndezjen e fishekzjarrëve në mesnatë.
Komuna e Prishtinës si kryeqytet i Kosovës, e edhe komunat e tjera, organizojnë manifestime të ndryshme, përfshirë seancat solemne dhe koncertet në qendrat e qyteteve.
Në çdo përvjetor të Pavarësisë së Kosovës, sheshet e qyteteve janë të mbushura përplot njerëz të cilët dalin për të shprehë gëzimin e tyre për ditën e lirisë.
Për këtë datë historike të Kosovës, aktivitete shënohen edhe në ambasadat dhe përfaqësitë diplomatike në Kosovë.
Këtë përvjetor, Kosova e pret me 111 njohje, deri sot, nga shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB). Njohjet e para iu bënë qysh në orët e para pas shpalljes së Pavarësisë, nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Turqia, Shqipëria, Afganistani dhe Kosta Rika.
Nga shtetet fqinje vetëm Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, ndërkohë që në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, të kryesuar nga Bashkimi Evropian, e mbështetur nga SHBA, në Bruksel janë zhvilluar 30 raunde të dialogut në nivel të lartë kryeministror, duke nisur nga 19 tetori 2012. Raundi i fundit ishte më 27 janar 2016.
Parashikimi i motit për të enjten
SHBA-të do të ndërtojnë një reaktor bërthamor në Hënë
Nesër pritet të mbahet takimi mes Bislimit e Petkoviqit në B...
Arsenali dhe Chelsea në luftë për yllin e Real Madridit R...
Edi Rama i çon projektligj Kuvendit të Shqipërisë për Bordin...
Moti i lig në Greqi merr jetën e dy njerëzve