Policia sekuestron mallra të kontrabanduara në vlerë mbi 20 mijë euro

14:19 | 13 Gusht 2025
E.H

Policia e Kosovës njofton se ka parandaluar dy raste të futjes së mallrave të kontrabanduara në Kosovë.

Në rastin e parë, më datën 13.08.2025 në rrugën Pozhoran–Sllatinë–Viti, njësitë policore kufitare kanë ndaluar një automjet të dyshuar për transportim të mallrave të kontrabanduara. Automjeti dyshohet se kishte hyrë nga RMV në drejtim të RKS, transmeton Arbresh.info.

Gjatë kontrollit të automjetit është gjetur sasi malli për të cilin drejtuesi i automjetit nuk posedonte asnjë dokumentacion të rregullt doganor, si:
· 3,000 copë produkt mishi të përpunuar (200 pako × 15 copë) – prodhim i Serbisë
· 750 copë rrisk gjedhi (50 pako × 15 copë) – prodhim i Serbisë
· 15,840 pako çokollata (110 pako × 8 copë × 18) – prodhim i Serbisë

Ndërsa në rastin e dytë, në rrugën Viti–Gerlicë, nga njësitë policore kufitare është ndaluar një tjetër automjet i dyshuar, ku pas kontrollit të tij është zbuluar një sasi e konsiderueshme farash të bardha dhe të zeza, të ambalazhuara në thasë.

Si rezultat i veprimeve vijuese policore, tek depoja e personit të dyshuar është gjetur sasi shtesë e mallit, për të cilin i dyshuari nuk kishte dokumentacion të rregullt.

“Sipas vlerësimeve të tregut, vlera totale e mallrave të sekuestruar në të dy rastet tejkalon shumën mbi 20,000 €, ndërsa shmangia e detyrimeve doganore vlerësohet mbi 5,000 €. I njëjti është sekuestruar nga Dogana e Kosovës për procedim të mëtejshëm. Policia e Kosovës, ndër të tjera, mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e ekonomisë së vendit dhe ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale