Krasniqi: Vendimi i Kushtetueses dëshmoi se VV e ka mbajtur peng Kuvendin

14:24 | 8 Gusht 2025
E.K

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ky aktgjykim konfirmon se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin e Kosovës.

Sipas tij, vendimi është një dëshmi e qartë se “bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Vetëvendosjes” kanë qenë jo vetëm në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe të dëmshme për demokracinë dhe funksionimin e shtetit.

“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi thënë me zë të lartë, si Parti Demokratike e Kosovës: Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës. Me Aktgjykimin e 7 gushtit 2025, Gjykata shpalli të pavlefshme të gjitha veprimet parlamentare arbitrare nga 27 qershori deri më 26 korrik; konstatoi se deputetët nuk kanë zbatuar vendimin kushtetues të 26 qershorit; se veprimet e Kryesuesit të seancës ishin antikushtetuese; dhe se Komisioni për Votim të Fshehtë ishte i jashtëligjshëm”, tha ai.

Ai e ka quajtur vendimin e Kushtetueses “një fitore për rendin kushtetues, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Kosova nuk mund të ecë përpara me institucione të paralizuara dhe me rregulla të shkelura sipas tekave të pushtetit. Prandaj, le të jetë ky një mësim i qartë për të gjithë, e veçanërisht për ata që nuk kanë ditur kurrë ta respektojnë shtetin: Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për lidership që respekton rregullat, jo që i shkel ato për pushtet. Ne do të jemi gjithmonë në anën e Kushtetutës dhe të qytetarëve. Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam’, tha tutje ai./Arbresh.info

 

LEXO EDHE;

Vendos Gjykata Kushtetuese: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur

Të ngjashme