Kurti: Kam ofruar kompromiset për formimin e institucioneve të reja, por pala tjetër nuk ka bërë hapa

10:50 | 8 Gusht 2025
E.K

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se Qeveria e tij ka ofruar dy kompromise për të mundësuar formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë, por që pala tjetër nuk ka treguar gatishmëri për t’i pranuar ato.

Në një prononcim për mediat gjatë përurimit të Shërbimit të Hemodializës në Podujevë, Kurti tha se kompromisi i parë ishte që në rast votimi të fshehtë, nëse kandidatura e Albulena Haxhiut nuk miratohet në raundin e parë, atëherë do të propozohet emër tjetër.

Kompromisi i dytë kishte të bënte me arritjen e marrëveshjes për paketën që përfshin kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, për të vazhduar më pas me votimin e hapur.

“Ne kemi ofruar dy kompromise, i pari ka qenë që në rastin e votimit të fshehtë, nëse nuk zgjedhet me të parin kandidatja Albulena Haxhiu, atëherë do të sjellim emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për paketën ku bën pjesë kryetari i Kuvendit, nënkryetarët dhe më pastaj të kthehemi te votimi i hapur. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër dhe të mos harrojmë që Gjykata Kushtetuese kur me aktgjykimin paraprak na pati thënë që me pikën e veçantë se marrëveshjet politike duhet të arrihen ndërmjet grupeve parlamentare, sepse mosmarrëveshjet nuk i zgjidh gjykata, menjëherë partitë opozitare dërguan sërish lëndë”, ka thënë Kurti.

Ai kritikoi partitë opozitare PDK dhe LDK, të cilat sipas tij, pavarësisht kërkesës për një zgjidhje politike, kanë dërguar çështjen sërish në Gjykatën Kushtetuese.