Sot pritet të mbahet seanca ndaj Igor Popoviqit për nxitje të urrejtjes

07:27 | 8 Gusht 2025
E.K

Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të mbajë sot, në orën 10:00, seancën dëgjimore për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë ndërmjet Igor Popoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Igor Popoviq ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, ndërsa Prokuroria Speciale ka dorëzuar marrëveshjen përkatëse në gjykatë, e cila do të shqyrtohet nga trupi gjykues gjatë kësaj seance.

Vendimi për miratimin ose refuzimin e marrëveshjes do të merret nga gjykata, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndaj Popoviq, ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Speciale, pas arrestimit të tij muajin e kaluar nga Policia e Kosovës.

Ai u arrestua pas një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit, ku dyshohet se ka përdorur gjuhë nxitëse kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komuniteteve të tjera etnike në vend./Arbresh.info

Të ngjashme