Serbia paraburgos një serb nga Shtërpca për “spiunazh për Kosovën dhe Shqipërinë”

15:20 | 1 Gusht 2025
E.K

Gjykata e Lartë në Prokuple të Serbisë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Sasha Gjorgjeviqin nga Shtërpca – komunë në Kosovë – nën dyshimin se ka kryer veprën penale të spiunazhit.

Kjo është konfirmuar për REL nga Prokuroria e Lartë Publike në Prokuple, qytet në jug të Serbisë që gjendet rreth 50 kilometra larg pikës kufitare me Kosovën, Merdare.

Disa media në Serbi raportuan më 28 korrik, duke u thirrur në burime anonime, se Gjorgjeviq ishte arrestuar pikërisht në pikën kufitare Merdare, nën dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor i Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI). Po të njëjtën ditë atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh, konfirmuan nga Prokuroria për REL-in. Ky institucion nuk dha detaje lidhur me akuzat konkrete ndaj Gjorgjeviqit.

“Në këtë rast nuk bëhet fjalë për një hetim të gjerë, por për një rast individual”, thuhet në përgjigjen e autoriteteve gjyqësore serbe.

Ndërkohë, media serbe kanë raportuar se arrestimi është kryer në bashkëpunim me pjesëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe Policisë së Prokuples.

Po ashtu, është publikuar një video e arrestimit, ndërsa pretendohet se Gjorgjeviq akuzohet se ka vepruar kundër interesave të komunitetit serb në Kosovë dhe se ka dorëzuar informacione konfidenciale në këmbim të pagesës.

Sipas këtyre raportimeve, ai ka qenë në kontakt me një pjesëtar të AKI-së në Ferizaj, i cili ka shërbyer si lidhje me shërbimin shqiptar të inteligjencës. Gjorgjeviq dyshohet se ka mbledhur të dhëna për “përfaqësues me ndikim të komunitetit serb në Kosovë, për aktivitetet e politikanëve serbë dhe figurave të njohura serbe në atë zonë, si dhe për pjesëtarët e strukturave të sigurisë së Serbisë – BIA-s, Ministrisë së Brendshme dhe Ushtrisë së Serbisë”.

Autoritetet në Serbi dhe Kosovë nuk janë prononcuar zyrtarisht për këtë rast.