Përfundon vala e temperaturave përvëluese, mesi i gushtit sjell reshje lokale shiu dhe stuhi

14:15 | 1 Gusht 2025
Gita

Periudha e temperaturave përvëluese, të cilat ka fundi i muajit korrik kaluan mbi 40 gradë celsius përfundoi.

Pas një korriku të nxehtë dhe përvëlues, gushti pritet të sjellë një lehtësim të ndjeshëm të motit.

Temperaturat maksimale që do mbizotërojnë në vendin tonë nga gushti nuk do kalojnë 35 gradë celsius.

Kështu bën të ditur për Arbresh.info Sherif Gosalci, menaxher në Departamentin Meteorologjik në KANS, i cili njofton se vala e fundit e nxehtësisë do të arrijë kulmin këtë fundjavë, përpara se temperaturat të fillojnë të bien gradualisht.

“Ditëve në vazhdim do të pritet një ngritje graduale e temperaturave, temperaturat minimale do të sillen nga 13 gradë deri në 18 gradë ndërsa ato maksimalet 25 deri në 31 gradë. Ky 31 gradë do të jetë këtë vikend prandaj apët do të ketë temperatura më normale më stabile. Në 10 ditshin e ardhshëm pritet valë e re e nxehtësisë, ku pritet që temperaturat t’i kalojnë 32 grand celsius. Fatmirësisht në periudhën e gushtit gjasat janë më të vogla, presim që të kemi një valë më të dobët për nga fuqia e temperaturave maksimale absolute, maksimalet që mund të pritet të jenë nga 28 deri në 35 gradë celsius. Nga mesi i muajit gusht pritet të ketë stuhi, në fillim të javës së ardhshme pritet të ketë reshje shiu”, tregon Gosalci.

Sipas meteorologut, duke hyrë në mesin e muajit gusht, priten ndryshime në mot me mundësi për reshje lokale dhe stuhi

Ai thekson se dukuria e zhvendosjes së valëve të nxehtësisë drejt muajve më të vonshëm të vitit, është vërejtur në dekadat e fundit.

“Pikërisht në dekadat e fundit ka një zhvendosje të temperaturave të larta, jemi dëshmitar nga e kaluara nga vitet e kaluara të arritjeve të maksimaleve të larta në muajin shtator dhe në muajin tetor. Shpresojmë që sipas parashikimeve të modeleve ndërkombëtare që në muajin shtator edhe tetor temperaturat do të jenë në konditat e mesatareve normale’, thekson ai.

Gosalci bën thirrje për kujdes të shtuar gjatë periudhave me rrezatim të lartë diellor.

“Periudhat më të rrezikshme për ekspozim në diell janë diku nga ora 11:00 deri në orën 17:00, është mirë që qytetarët të evitojnë ekspozimin e drejtpërdrejt në rrezet e diellit, përdorimi i ujit në sasi të mjaftueshme do të ndikonte në mbajtje të nivelit të shëndetit”, pohon Gosalci.

Ndryshe, ashtu si viti i kaluar edhe ky vit në muajin korrik ka shënuar temperatura ekstreme, që kanë kaluar mbi 40 gradë celsius/Arbresh.info/Edona Krasniqi/