Ish-nënpresidentja Kamala Harris ka njoftuar se nuk do të kandidojë për guvernatore të Kalifornisë në zgjedhjet e vitit 2026. Ky vendim lë të hapur mundësinë që ajo të synojë për herë të tretë Shtëpinë e Bardhë në vitin 2028.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e saj të mërkurën, Harris shpjegoi se ka kaluar gjashtë muajt e fundit duke reflektuar mbi momentin aktual në historinë e kombit dhe mënyrën më të mirë për të vazhduar luftën për popullin amerikan.
“Kam menduar seriozisht t’u kërkoj popullit të Kalifornisë privilegjin për të shërbyer si guvernatorja e tyre. E dua këtë shtet, njerëzit e tij dhe premtimin e tij. Është shtëpia ime. Por, pas reflektimit të thellë, kam vendosur që nuk do të kandidoj për Guvernatore në këto zgjedhje,” tha ajo.
E ardhmja politike, një tjetër garë presidenciale?
Vendimi i Harris zgjat spekulimet rreth të ardhmes së saj politike, të cilat filluan pasi ajo humbi zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar ndaj Donald Trump. Ajo nuk e ka përjashtuar një tjetër kandidim për presidente, pas përpjekjeve të pasuksesshme në vitet 2020 dhe 2024. Nuk dihet se kur do ta marrë këtë vendim.
Në deklaratën e saj, Harris nuk e përmendi drejtpërdrejt Trumpin, por theksoi se “politika jonë, qeveria jonë dhe institucionet tona shumë shpesh i kanë zhgënjyer popullin amerikan, duke kulmuar në këtë moment krize.”
Harris theksoi se lidershipi dhe shërbimi i saj publik për momentin nuk do të jenë në poste të zgjedhura. “Pres me padurim të kthehem dhe të dëgjoj popullin amerikan, të ndihmoj në zgjedhjen e demokratëve në të gjithë vendin që do të luftojnë pa frikë dhe të ndaj më shumë detaje në muajt në vijim rreth planeve të mia,” tha ajo. Ajo rikonfirmoi angazhimin e saj për të luftuar për “liri, mundësi, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.”
Strategu demokrat Sean Clegg, një këshilltar i hershëm i Harris, shpjegoi se ish-nënpresidentja u tundua të kandidonte për guvernator, por vendosi të shqyrtonte mundësi të tjera, si hapja e një organizate jofitimprurëse për të angazhuar votuesit më të rinj. Clegg theksoi se Harris, pas 22 vitesh në detyrë zgjedhore dhe shërbim publik, është më e motivuar nga mundësia për të bërë ndryshime jashtë sistemit.
Gara presidenciale e vitit 2028 pritet të tërheqë një numër të madh kandidatësh, ku potencialisht mund të përfshihet edhe Guvernatori aktual i Kalifornisë, Gavin Newsom. Vendimi i Harris për të mos kandiduar për guvernator e mban të hapur garën për të zëvendësuar Newsom, duke përfshirë emra si ish-përfaqësuesja e SHBA-së Katie Porter, ish-kryebashkiaku i Los Anxhelosit Antonio Villaraigosa, dhe ish-sekretari i shëndetësisë i administratës Biden, Xavier Becerra./rtsh.al
“Pastrimi” publikon pamje të qytetarëve që hedhin mbeturina ...
“Memories” e Gjestit emocionon Londrimin
Shtatë ankesa në PZAP lidhur me rezultatin përfundimtar të z...
FSK realizon kursin “Combat Life Saver” për kujdes mjekësor ...
“Janë të reja për ty”, “Nuk më ke parë në aksion”- Dalin bis...
“S’je mirë nga mendtë”, Hygerta e ashpër me Albën