Ndëshkohen dy shoferë për kundërvajtje trafiku në Ferizaj

13:33 | 27 Korrik 2025
E.H

Patrulla e Njësisë së Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndërmarrë masa ndaj dy shoferëve për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Në njoftimin e policisë thuhet se rreth orës 04:15, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, ka ndaluar një veturë Volkswagen Passat me targa vendore.

Gjatë kontrollit është konstatuar se shoferi A.A. 28 vjeç po drejtonte automjetin ndonëse ishte nën masën mbrojtëse që ndalon drejtimin e mjetit motorik nga data 28.06.2025 deri më 27.09.2025.

Ndaj tij u shqiptua gjobë prej 500 euro, 5 pikë negative, masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit për 6 muaj dhe konfiskim i automjetit.

Ndërkohë, rreth orës 05:30 në fshatin Babush, ka ndaluar një veturë Audi me targa të huaja.

Shoferja S.N. (33 vjeçe), shtetase e huaj, po drejtonte automjetin me 128 km/h në një zonë me kufizim prej 50 km/h. Shpejtësia është matur përmes veturës inteligjente të policisë.

Me pëlqimin e saj, ndaj saj është shqiptuar një gjobë e dyfishuar prej 600 €.

“Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aktivitete të intensifikuara për të rritur sigurinë në komunikacion dhe respektimin e ligjit”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale