Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një samiti me presidentin kinez Xi Jinping në Pekin deklaroi se marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Kinës kanë arritur një “pikë kthese”. Ajo theksoi nevojën për një ribalancim “thelbësor” të lidhjeve tregtare dhe ekonomike, duke kërkuar që të dyja palët të adresojnë shqetësimet përkatëse me zgjidhje konkrete.
Samiti u zhvillua pas javësh debatesh për formatin e tij dhe përkoi me 50-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike BE-Kinë. Gjatë takimit në Sallën e Madhe të Popullit, von der Leyen i tha Xi Jinping se, ndonëse bashkëpunimi ka thelluar marrëdhëniet, ekuilibrat janë prishur dhe është koha për një qasje të re.
“Ndërsa bashkëpunimi ynë është thelluar, janë thelluar edhe ekuilibrat. Kemi arritur në një pikë kthese. Ribalancimi i marrëdhënieve tona dypalëshe është thelbësor… Është jetike që Kina dhe Evropa të pranojnë shqetësimet tona përkatëse dhe të dalin përpara me zgjidhje reale“, tha Von der Leyen.
Nga ana e tij, presidenti kinez Xi Jinping bëri thirrje për më shumë besim dhe bashkëpunim, duke paralajmëruar BE-në që të “bëjë zgjedhjet e duhura strategjike” dhe të shmangë përshkallëzimin e tensioneve. Ai kërkoi forcimin e komunikimit në një kohë kur sfidat globale po shtohen.
“Sa më e rëndë dhe komplekse të jetë situata ndërkombëtare, aq më shumë Kina dhe BE duhet të forcojnë komunikimin, të rrisin besimin e ndërsjellë dhe të thellojnë bashkëpunimin”, tha Xi Jinping.
Bashkimi Evropian e përcakton Kinën si një partner bashkëpunimi, konkurrent ekonomik dhe rival sistemik, një pozicion kompleks që reflekton tensionet e vazhdueshme në çështje tregtare, teknologjike dhe gjeopolitike./rtsh
Njësia Speciale “zbarkon” në Skenderaj
Hashim Thaçi me mesazh për politikanët: Egoja në politikë të...
Zyrtare: Carlo Ancelotti në krye të Brazilit deri në vitin 2...
Amerikanët kapën tre ton kokainë me vlerë rreth 40 milionë e...
Hashim Thaçi rrëfen takimin emocional me Adem Demaçin para p...
Hashim Thaçi nga paraburgimi: Kosova më pro-amerikane në bot...