Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi.
Në njoftimin zyrtar, MPJD thekson se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është informuar për rastin në mbrëmjen e 22 korrikut 2025 dhe se Halili është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të Svilajnacit.
“Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me stacionin policor rreth orës 23:00, mirëpo zyrtari kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
Sot, Zyra Ndërlidhëse i ka dërguar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të kërkuar konfirmim zyrtar dhe informacione shtesë mbi rastin. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, pala serbe nuk ka dhënë përgjigje.
MPJD bën të ditur se ka njoftuar për rastin edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacionin e BE-së.
“Sapo të konfirmohet nëse Halili do t’i nënshtrohet masës së paraburgimit dhe do të iniciohet procedurë penale ndaj tij, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për vizitë në Qendrën e Mbajtjes”, thuhet më tej në njoftim.
Në fund të komunikatës, MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të siç thuhet, “rrezikut të shtuar për ndalime dhe arrestime arbitrare nga autoritetet serbe”./Arbresh.info
Lexo edhe:
Rrufeja godet bagëtinë në Delvinë, ngordhin rreth 200 dele
Konjufca në Kaçanik: Qytetarët kërkojnë vazhdim të punëve dh...
Vuçiq konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-...
Aro Muric largohet nga grumbullimi, Kosova fton këtë portier
Pacolli në Podujevë: Bashkë ia qesim pikën
Prishtina gati për Katy Perry, Sunny Hill konfirmon performa...