I kërkuan 30 mijë euro për qasje në pronën e tij, arreston në flagrancë katër persona në Pejë

17:24 | 23 Korrik 2025
E.H

Policia e Kosovës njofton se në kuadër të përpjekjeve të saj të vazhdueshme për luftimin e krimit të organizuar, ka realizuar sot një operacion policor në Pejë, me ç’rast ka arrestuar në flagrancë katër persona të dyshuar për veprën penale “detyrim”.

Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, hetimet rajonale në Pejë, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Pejë dhe me mbështetjen e njësive tjera relevante, transmeton Arbresh.info

“Për ta lejuar viktimën që ta shfrytëzojë pronën e tij të blerë në formë të ligjshme kanë detyruar të njëjtin që të veprojë kundër pasurisë së tij, përkatësisht duke e detyruar të paguajë shumën prej 30.000 mijë euro, në mënyrë që viktimës t’i lejohet posedimi faktik i pronës”, thuhet në njoftim.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë intervistuar nga autoritetet përkatëse dhe me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, janë ndaluar për 48 orë.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj të palëkundur në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, sidomos atyre që lidhen me krimin e organizuar, si dhe në sjelljen e personave të dyshuar para drejtësisë.

Hetimet në lidhje me rastin janë duke vazhduar./Arbresh.info

Pamje nga aksioni i policisë në Pejë:

Shpërndaje në rrjete sociale