Youtube ‘shfaros’ mbi 30 mijë kanale të propagandës ruse dhe kineze

23:26 | 22 Korrik 2025
E.H

Në gjysmën e parë të vitit, Google fshiu mbi 30 mijë kanale Youtube të lidhura me propagandën e Rusisë e Kinës, duke shënuar një rritje prej 45% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Threat Analysis Group i Google deklaroi se mbylli thuajse 10 mijë kanale Youtube në tremujorin e dytë që ishin të lidhura me operacionet e të dyja vendeve, raporton Cyber News.

Google fshiu edhe kanale që shpërndanin keqinformim nga vende të tjera. Gjiganti i teknologjisë bllokoi llogari të Ads dhe AdSense, Blogger dhe ndaloi disa faqe interneti që të shfaqen në Google News ose Discover.

Operacionet e lidhura me Rusinë janë kritike ndaj Ukrainës, BE-së, NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi duke propaganduar politikat ruse. Disa kanale shpërndanin keqinformim për kulturën dhe shoqërinë në Europën Lindore.

Në tërësi, TAG bllokoi mbi 6mijë kanale Youtube këtë vit që shënon një rritje prej 56% krahasuar me një vit më parë.

Rritja e vitit të shkuar lidhet me fushatat që synonin devijimin e zgjedhjeve të 2024-ës në SHBA, përfshirë ato nga Tenet Media dhe televizioni publik rus, RT.

Nga fillimi i këtij viti, Youtube ka fshirë mbi 23 mijë kanale të lidhura me operacionet e ndikimit kinez. Pjesa më e madhe e tyre janë përmbajtje në anglisht dhe kinezisht për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kinës dhe SHBA-ve.

Google deklaroi se ka mbyllur edhe qindra kanale të propagandës së Azerbajxhanit që shprehin kritika ndaj Armenisë dhe kundërshtarëve politikë.

Dhjetëra kanale të propagandës turke, rumune dhe fushata iraniane në gjuhën arabe që mbështesin qeverinë, Palestinën dhe kritikojnë Izraelin, gjithashtu u mbyllën./tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale