Gjykata e Apelit ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan e cila më 9 korrik 2025 ua ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, nën dyshimin për vrasje nga pakujdesia të qytetarit Agon Zejnullahu në Lipjan.
Me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të dyshuarve, Apeli e ktheu çështjen në rivendosje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores, e cila kishte caktuar paraburgimin kanë parashtruar mbrojtja e pesë policëve të dyshuar.
Apeli vlerëson se seanca dëgjimore është mbajtur në shkelje të dispozitave ligjore.
Sipas Apelit, prokurori i shtetit nuk e ka elaboruar kërkesën për caktim të paraburgimit dhe se nuk ekziston konstatimi se palët kanë hequr dorë për elaborim të kërkesës për paraburgim.
Shkalla e dytë thekson se vendimi i Themelores nuk përmban analizë dhe vlerësim të provave relevante për të konstatuar dyshimin e bazuar mirë se të dyshuarit kanë kryer veprën penale për çka dyshohen.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, shkalla e parë vetë ka listuar prova dhe se të njëjtat nuk janë vlerësuar apo analizuar për të kuptuar se a ekziston dyshimi i bazuar që të caktohet pastaj masa e paraburgimit, pasi që ekzistimi i dyshimit të bazuar llogaritet sipas vendimit, kusht për caktim të paraburgimit.
Po ashtu, në këtë vendim thuhet se në mungesë të analizimit të secilës provë veç e veç, i mungon individualizimi i veprimeve të secilit të dyshuar për të përcaktuar pastaj intensitetin e veprimeve të të dyshuarve.
Aty thuhet se po të përcaktohej veprimi individual nga gjyqtarja e procedurës paraprake për secilin të dyshuar, do të mund të caktohej masa e sigurisë në proporcion me veprimet e secilit të dyshuar.
Prandaj, sipas Apelit, shkalla e parë ka dështuar të bëjë analizën e dyshimit të bazuar duke rrëshqitur kështu në vlerësim formal dhe jo substancial të rrethanave për caktim të paraburgimit.
Apeli ka sqaruar se shkalla e parë ka dështuar të arsyetojë rrezikun e përsëritjes së veprës penale.
Sipas kësaj Gjykate, ka qenë i kushtëzuar vendimi për kthim në rigjykim për shkak se lënda është bartur në Sistemin për Menaxhimin Informativë të Lëndëve dhe se nuk ka poseduar shkresat e lëndës fizikisht sidomos për të vlerësuar CD dhe video-incizimet.
Andaj, në rivendosje, Apeli thekson se shkalla e parë duhet të vlerësojë standardin e dyshimit të bazuar, të bëhet individualizimi i veprimeve të secilit të dyshuar, të specifikohen rrethanat konkrete që përbëjnë rrezik të përsëritjes së veprës penale dhe të vlerësohet CD.
LEXO EDHE:
Anulohet vendimi për paraburgim për policët e përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan
Plagosja e 30-vjeçarit në Lezhë, policia jep detajet: U qëll...
Tragjike në Rahovec, vdes një person pasi pëson lëndime fata...
Zhduket një vajzë në Gjilan
Therja me thikë në Fushë Kosovë, policia jep detaje
Aksident në Shakovicë të Podujevës, lëndohen katër persona
E papritur: Bëhen bashkë Limi dhe Edi