Rama me përfaqësues të teknologjisë e inovacionit: Duam të bëhemi partnerë

11:13 | 18 Korrik 2025
E.K

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, i ka vënë atyre “në dispozicion” qeverinë për të bërë të mundur arritje të përbashkëta.

Rama theksoi mbështetjen e qeverisë për atë që e cilësoi si “botë të re”, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së urave të komunikimit, në mënyrë që edhe shteti të bëhet partner. Ai tha se tashmë ka nevojë që të krijohen edhe instrumenta të rinj financiarë për mbështetjen e këtij sektori.

“Besoj se ju keni çfarë të na mësoni dhe sugjeroni konkretisht në ecurinë e punës tuaj. Një pjesë e juaja janë të lidhur ngushtë me tregun dhe aktorë domethënës në tregu ndërkombëtar. Kjo do të thotë që janë të lidhur me produkte që nëse i shërbejnë administrimit të situatave jashtë Shqipërisë nuk ka asnjë arsye pse të mos shërbejnë edhe në Shqipëri. Ne kemi nevojë për çdo gjë në këtë aspekt. Sëbashku mund të angazhohemi për produkte të dedikuara që nuk janë ekzistuese, në vend që të shkojmë të paguajmë për produkte ekzistuese që vijnë nga jashtë. Në këtë aspekt, nuk duhet ta neglizhojmë çështjen e sovranitetit, në funksion të mbrojtjes nga boshllëqet ku mund të penetrojnë aktorë me qëllime të këqija ndaj vendit nëpërmjet sulmeve kibernetike”, tha Rama.

Kryeministri propozoi edhe ngritjen e një forumi që do të bënte bashkë, të paktën 3 herë në vit, qeverinë dhe përfaqësuesit e këtij sektori.

“Dua të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë. Mendoj se vlen të kemi një Këshill, një hapësirë, forum, ku të mblidhemi të paktën 3 herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat të 4 mujorit të mëparshëm. Qëllimi nga ana jonë është që t’jua vëmë në dispozicion qeverinë, në aspektin e mundësive që mund të kemi, në aspektin e ‘kavies’ që mund të jemi për ju. Nëse duam që të bëjmë progres duken i dhënë vetes gjithmonë e më shumë mundësi përmes inteligjencës artificiale duhet të kemi një ndërveprim ku ju të keni mundësi të keni sa më shumë të dhëna”, theksoi kryeministri./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale