BE paralajmëron kundërmasa ndaj SHBA, Trump: Jemi të hapur për bisedime

21:04 | 14 Korrik 2025
E.G

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar masa hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara nëse Presidenti Donald Trump nuk tërhiqet nga vendosja e tarifave të reja 30% ndaj produkteve europiane, që pritet të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Presidenti Trump ka deklaruar se është i hapur për bisedime me BE-në dhe partnerë të tjerë tregtarë. “Ata duan të flasin, dhe ne jemi të gatshëm për këtë,” u shpreh ai nga Shtëpia e Bardhë, shkruan Reuters.

BE, megjithatë, shprehet e zhgënjyer nga mungesa e përparimit në bisedime dhe ka përgatitur një listë kundërtarifash ndaj mallrave amerikane me vlerë 21 miliardë euro. Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, tha se ende ka hapësirë për negociata, por theksoi se “duhen dy duar për të duartrokitur.”

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, gjatë një takimi në Bruksel, e quajtën kërcënimin me tarifa “të papranueshëm” dhe bënë thirrje për një qasje të bashkuar kundër masave të njëanshme amerikane.

Industria europiane në alarm
Industria gjermane dhe ajo italiane kanë reaguar me shqetësim. Prodhuesit e verës Chianti në Itali kërkojnë mbështetje për të gjetur tregje të reja në Amerikën Latine dhe Azi, ndërsa autoritetet gjermane paralajmërojnë për rrezik serioz ndaj eksportit.

Shtetet e tjera në garë për marrëveshje
Koreja e Jugut dhe Meksika po përpiqen të arrijnë marrëveshje tregtare me SHBA për të shmangur goditjen nga tarifat. Meksika ka siguruar se çdo marrëveshje nuk do të përfshijë hyrje të forcave amerikane në territorin e saj, siç ishte propozuar më parë.

Në sfond të këtyre zhvillimeve, tregjet europiane shënuan rënie, veçanërisht në sektorët e automobilave dhe pijeve alkoolike.

Shpërndaje në rrjete sociale