Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Tajlandës

19:10 | 3 Korrik 2025
Q L

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Mbretërisë së Tajlandës në Republikën e Kosovës, z. Phrommes Bhaholpolbhayuhasena.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, gjatë takimit,Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Bhaholpolbhayuhasena dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Tajlandës, duke e cilësuar atë si një raport të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta.

“Ambasadori Bhaholpolbhayuhasena shprehi gatishmërinë për të punuar drejt thellimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, gjersa e uroi Presidenten Osmani për organizimin e sivjetëm të Forumit Ndërkombetar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku mori pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Tajlandës, Lalivan Karnchanachari.”, thuhet në njoftim

Në takim, presidentja rikujtoi vizitën e saj në Tajlandë në vitin 2022, në shënim të dhjetëvjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një moment kyç në thellimin e partneritetit mes dy vendeve.

“Ajo nënvizoi se vendimi i Tajlandës për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së shkëmbimeve ekonomike e kulturore midis shteteve, bizneseve dhe popujve tanë”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se presidentja Osmani riafirmoi gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të avancuar më tej raportet dypalëshe me Mbretërinë e Tajlandës, në frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellët./Arbresh.info

Të ngjashme