Kurti për ekspozitën e luftës: Thirrje për drejtësi për gjenocidin serb

11:06 | 26 Qershor 2025
E.G

Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se është hapur  ekspozita “The Kosovo War Photographs” nga Wade Goddard, përjetim i thellë dhe i rëndë, kujtesë e gjallë përmes syrit të një dëshmitari.

Kurti në Facebook, shkroi se Wade u sfidua t’i përmbledh në më pak se 70 sosh nga 500 fotografi të realizuara për të ndërtuar këtë ekspozitë, shkruan Arbresh.info.

“Një përzgjedhje e pamundur dhe e dhimbshme, për të përfaqësuar një kapitull thelbësor të historisë sonë, përmes një dokumentimi shumë të kujdesshëm dhe personal që është i lidhur ngushtë me popullin tonë. Fotografitë e tij janë dëshmi. Ato janë dritare që lidhin shpirtin e popullit me kujtimet, me dhimbjen, me të vërtetën. Lidhje të përjetshme me ata që e njohën veten në ato imazhe, me ata që nuk janë më, dhe me ne që ende mbajmë detyrën dhe peshën e kujtesës.”, ka shkruar Kurti.

“Korniza nuk mund ta përmbajë jetën si të tillë. Por përmes përjetimit në fotografi, Goddard ka kornizuar shpirtin e çdo jete që ka dokumentuar.”, u shpreh ai.

Kurti tha se këto rrëfime janë një rikthim i domosdoshëm, që na kujton sa e brishtë është jeta dhe sa rëndë e thellë kemi kaluar nëpër errësirë.

“Nga tanket në rrugët e Kosovës, te fëmijët në karroca, nga rrënojat e shtëpive te kolonat e pafundme të traktorëve, nga ecjet dërrmuese në male, në momentet e fundit me të afërmit e vrarë mizorisht, këto rrëfime janë një rikthim i domosdoshëm, që na kujton sa e brishtë është jeta dhe sa rëndë e thellë kemi kaluar nëpër errësirë.”, tha mes të tjerash kryeministri në detyrë.

Tutje, ai sugjeroi që të gjithë ta vizitojnë këtë ekspozitë.

“Për popullin tonë, tmerri që as s’imagjinohej, u bë realitet i përditshëm dhe mjerim i detyruar. Prandaj, kjo ekspozitë nuk është vetëm kujtim e përkujtim por edhe ambient dokumentimi dhe thirrje për drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik të Serbisë në pranverën e vitit 1999. Ju sugjeroj të gjithëve ta vizitoni.”, shtoi mes të tjerash ai./Arbresh.info/