KQZ: Ende asnjë prej 27 subjekteve politike s’e ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë

16:47 | 11 Maj 2026
E.H

Ende asnjë prej 27 subjekteve politike që kanë aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit nuk e kanë dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se deri në orën 14:00 nuk pati asnjë listë të dorëzuar.

“Deri më tani (e hënë, 11 maj 2026, ora 14:00) asnjë nga 27 subjektet politike nuk ka dorëzuar online listën e kandidatëve për deputetë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Elezi njoftoi se ka përfunduar periudha për subjektet politike që ta njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për formimin e koalicioneve. Ai tha se “numri i përgjithshëm i subjekteve të mundshme politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit është 27, prej të cilave 22 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur”.

Pas përmbylljes së procesit të certifikimit, KQZ pritet të organizojë tërheqjen e shortit për renditjen e tyre në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Partitë politike që kanë njoftuar pjesëmarrjen në zgjedhje (1 – 7 maj) janë:

-Partia Socialdemokrate;
-Kosovaki Nevi Romani Partia;
-Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve;
-Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
-Srpska Lista;
-Yenilikçi Türk Hareket Partisi;
-Lidhja Demokratike e Kosovës;
-Fjala;
-Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës;
-Partia Rome e Bashkuar e Kosovës – PREBK;
-Socialdemokratska Unija;
-Jedinstvena Goranska Partija;
-Kosova Demokratik Türk Partisi;
-Nova Demokratska Stranka;
-Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës;
-Kosovski Savez;
-Partia Balliste;
-Partia Qytetare për Mirëqenie Sociale;
-Partia Liberale Egjiptiane;
-Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
-Stranka Demokratske Akcije; dhe
-Partia Demokratike e Kosovës.

Partitë politike që kanë njoftuar për formim të koalicionit (1 – 7 maj) janë:

-Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan (Koalicija VAKAT);
-Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim (Ashkalitë e Bashkuar); dhe
-Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (Lëvizja VETËVENDOSJE!).

-Nisma qytetare që kanë aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

Složno Pobeđujemo.

Kandidati i pavarur që ka aplikuar për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje është:

Esmir Kasi.

Shpërndaje në rrjete sociale